Pensionet private, Ponari: Të zbatohet “Kolona e Dytë”, përveç pensionit shtetëror të nxitet edhe pensioni privat
Emigrimi masiv dhe plakja e popullsisë në Shqipëri po sjell dhe një risk të shtuar për përfitimin e pensionit në shtet.
Kjo temë u diskutua në Konferencën e Parë Rajonale e organizuar nga Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit.
Kryetari i saj, Elvis Ponari, theksoi nevojën e njohjes së punonjësve në vend me skemën private dhe përfitimet që vijnë prej saj.
E për këtë ai theksoi domosdoshmërinë e implementimit të kolonës së dytë në vend.
Elvis Ponari: “Kolona e Dytë është sigurimi i pensionit nga punësimi me financim kapital, ku çdo i siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shtetëror (Kolona e Parë) paguan një pjesë të kontributeve individuale në një fond privat pensionesh. Në këtë mënyrë, me plotësimin e kushteve për përfitim pensioni, të ardhurat e personave tē siguruar përbëhen nga dy burime: një pension nga skema e sigurimit të detyrueshëm shtetëror dhe një pension nga skema e sigurimit të pensionit nga punësimi me financim kapital”.
Pensionet private në fakt funksionojnë prej 17 vitesh dhe Paratë e investuara në të nuk humbasin ndryshe nga shteti ato trashëgohen te pasardhësit.
Ndërsa miratimi i projektligjit i hap rrugë rritjes së aseteve në Fondet private.
Aktualisht 4 fonde të tilla me mbi 37 mijë anëtarë dhe me afro 53 milionë euro asete. Këtë skemë e kanë përqafuar më pak se 3% e forcave të punës në vend.
Në panel folë dhe Arjan Kadare, Eduart Shalsi, anëtari i Bordit Mbikqyrës të AMF-së, z. Deniz Deralla, kreu i ISSH-së Z. Astrit Hodo, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Dr. Christian Steiner etj.
I pranishëm ishte edhe z. Enrik Osusky, menaxher i menaxhimit të aseteve në “UNIQA Insurance Group”, e pranishme në Shqipëri prej vitit 2007 përmes “SIGAL UNIQA Group Austria”.



