Për herë të parë në 33 vite Shkodra me kryetar socialist, Benet Beci merr zyrtarisht detyrën
Për herë të parë pas 33 vitesh, Shkodra ka një kryetar bashkie socialist. Benet Beci mori zyrtarisht detyrën, duke u betuar përpara këshilltarëve bashkiak, deputetëve të majtë të qarkut dhe ministrive Elisa Spiropali e Edona Bilali të pranishme në parlamentin e qytetit.
Që në krye të fjalës ai kërkoi që të jetë në këto 4 vite jo qytetari i parë i Shkodrës por punëtori dhe shërbëtori i tyre, pasi rruga që ka përpara do të ketë vështirësitë e saj dhe tani është koha për t’u përqendruar tek puna.
“Kam kënaqësinë dhe privilegjin e madh të jem zgjedhur nga ju dhe njerëzit që ju përfaqësoni në këtë sallë si qytetar i parë i Shkodrës. Por, më besoni, që do të doja që në këto vite pune me ju të meritoja titullin punëtori dhe shërbëtori i parë i Shkodrës. Rruga që do të bëjmë bashkë pa diskutim ka vështirësi, por tani është koha për t’u përqendruar tek puna, është koha për të nisur një ndryshim të madh, jo thjesht që Shkodra të kapë ritmin dhe kohën e humbur, por që t’i paraprijmë së ardhmes.”
Ndërsa premtoi se Shkodra do të jetë e të gjithëve pa ndasi, Benet Beci kishte edhe një mesazh për administratën vendore.
“Pavarësisht përkatësive tuaja (fatmirësisht ky këshill tashmë është përfaqësues i shumë grupimeve politike), tek ju unë shoh të zgjedhurit e kësaj bashkie, ku duhet dëgjuar fjala e të gjithëve e ku nuk ka ndasi, nuk ka qytetarë të dorës së dytë, nuk ka rëndësi sa metra a kilometra larg godinës së bashkisë banojnë, a janë familjet e vjetra me derën e madhe, apo të ardhurit që në Shkodër gjetën mundësinë më të mirë për fëmijët e tyre, a i përkasin një partie, a një grupimi”.
Më herët në mbledhjen konstituese u zgjodh kryetari i Këshillit Bashkiak, socialisti Oltion Luli ndërsa dy nënkryetarët ju besuan Valjeta Golemi Bajraktarit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Vjoleta Përndreca e PSD.
Benet Beci u shpall fitues në zgjedhjet e 14 Majit me 12 mijë vota diferencë përballë rivalit Bardh Spahia duke u bërë i pari përfaqësues i PS që ulet në karrigen e kryetarit të bashkisë, pasi në 2019 edhe pse PS fitoi zgjedhjet, kandidati i saj nuk mori mandatin pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit.
