Bardhi i merr deputetë Bashës, Çipa: Ndarja është e pandalshme! Kriza e demokratëve, strukturore
17 deputetë demokratë ngrihen në revoltë kundër Kryesisë së Partisë Demokratike zyrtrare. Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi nuk pranon zgjedhjen urgjente të kryetarit të parashikuar më 29 korrik, ndërsa deklarata e tij vjen një ditë para mbledhjes së Këshillit, ku pritet dhe zyrtarizimi i kandidimit të Lulzim Bashës i cili po këkron me çdo formë rimarrjen e partisë të cilën e lëshoi mes kaosit dhe gazit lotsjellës ndaj vetë demokratëve të cilët e përkrahën për afro 9 vite të qëndrimit të tij në krye të PD-së.
Lidhur me këtë situatë të paqartë, ku përçarja e demokratëve sa vjen e thellohet, analisti Aleksandër Çipa në një intervistë për “Ora Neës”, thotë se kriza në PD është një krizë strukturore.
“Kemi të bëjmë me një entitet politik i cili është ndarë në nënentitete të tjera të përfaqësimit grupal në pjesën e mbetur të partisë zyrtare.
Këto nëngrupe vuajnë nga mungesa e një kohezioni të brendshëm dhe arsyeja se pse nuk ekziston ky kohezion ka të bëjë me thelbin e krizës që për më shumë se dy vite po përjeton Partia Demokratike.
Thelbi i krizës së PD-së është strukturor, dhe nuk është thjesht mungesa e një kryesuesi të partisë.
Sepse në këndvështrimin tim udhëheqësi shpirtëror ka ekzistuar si kryesues i Rithemelimit dhe tek pjesa tjetër më masive e kësaj partie.
Mirëpo kryesuesi i Rithemelimit i vendosur në kontekstin e një çështjeje personale, i ka dhënë kësaj të fundit kontekstin e plotë politik duke e trajtuar si një çështje të integritetit dhe sovranitetit politik të grupit të madh që përfaqëson.
Grupi i partisë zyrtare që e përjashtoi këtë udhëheqës në momentin kur ai u shpall person non grata nga SHBA dhe Britanisë, krijoi një mundësi për ta eklipsuar dhe mbajtur atë si një çështje që nuk përbën më as arsye thelbësore të perspektivës dhe nevojës së rikthimit të tij.
Në këtë pikëpamje kemi një rikthim të z. Basha me një protagonizëm të vjetër për një qëllim të ri: rikthimi si kryesues tek partia zyrtare për pjesën e mbetur.
Për mua ndarja në PD është një fakt i pandalshëm dhe ç’është më e keqja kjo ndasi do të vazhdojë deri në fillimin e kësaj vjeshte”, theksoi analisti Aleksandër Çipa.




