“Ballkani me një zë për Kosovën” Begaj me homologët: Të mos lejojmë provokime destabilizuese

Presidenti Bajram Begaj u kërkoi homologëve të Rajonit që të reagojnë me një Zë të unfikuar për krizën në Kosovë. Presidenti u tha krerëve të Shteteve anëtarë në NATO se nuk duhen toleruar provokime destabilizuese gjatë takimeve në Samitin e Prespës.

Presidenti Bajram Begaj gjatë pjesëmarrjes në Furumin e Prespës mbajtur në Ohër pati takime me homologët e Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Në qendër të bisedave ishin zhvillimet në Veriun e Kosovës, bëri me dije presidenca shqiptare.

Presidenti Begaj nënvizoi nevojën që vendet e rajonit anëtare në NATO, duhet të flasin me një zë për mos lejimin që provokime të ndryshme ta destabilizojnë Kosovën dhe të gjithë rajonin.

Presidenti Begaj ndau me presidentët vizionin e përbashkët të mbështetur në respektin e ndërsjellë, dialog, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, që janë tejet të rëndësishme për të forcuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Liderët e Ballkanit u bënë bashkë në forumin e Prespës për dialog ku dhanë mesazhe për zgjidhjen e krizës në Kosovë dhe nevojën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Forumi shënoi 4 vjetorin e i nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës,që i dha fund mosmarrëveshjeve për kontestin e emrit mes Shkupit dhe Athinës cka i hapi rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut në organizmat euroatlantike.