Xhemal Mato: Si më ktheu anija kozmike në ekran, urdhri - të dalë të komentojë Apollon!

Një gazetar unik në llojin e tij, që ka lënë gjurmë në historinë e televizionit shqiptar, z. Xhemal Mato, ishte i ftuari i nderit i gazetarit Adi Krasta në emisionin e tij “A Krasta Show”, mbrëmjen e së martës. Krasta e priti qëllimisht të fundit për ta mbyllur emisionin e tij me buzëqeshjen dhe qetësinë olimpike të Xhemal Matos.

Mato tregoi momente pikante nga jeta e tij në televizion, në dy kohë dhe veçoi sidomos se çfarë u bë shkas për daljen e tij të parë në ekran: Anija kozmike Apollo!

Ndiqni një pjesë nga intervista me z. Mato dhe në fund, emisionin e plotë në video.  

Adi Krasta: Në korridoret e televizionit ti më ke bërë gjithmonë përshtypje për një lloj vetëpërmbajtje të kujdesshme socio-emocionale në atë kohë. Po ti punoje në televizion! Ishte natyra jote apo ishe i vetëdijshëm se duke bërë programin për shkencën, nuk ishe aq i lehtë sa njerëzit e spektaklit?!

Xhemal Mato: Ndoshta jo, por ka qenë ngarkesë e madhe. Në fakt televizioni gjithmonë është ngarkesë, ju e dini më mirë dhe të punosh në televizion do të thotë të heqësh dorë nga shumë gjëra të tjera, edhe nga familja ndonjëherë, që të punosh deri në orët e vona.  

Unë kisha dy programe, dhe programet e filmave të huaj shkencorë, por edhe programet e Shqipërisë. Shpesh duhej të shkoja nëpër male, nën ujë, nëpër zona, nëpër fabrika, uzina për shkencën, teknikën e vendit tonë dhe kjo ishte një ngarkesë e jashtëzakonshme, gjë që më bënte edhe pak si të hutuar dhe shpesh thoshin ata “ ai është i hutuar, lëre se... ”.

Adi Krasta: Ju keni mbaruar fizikë. Ne që kemi studiuar në shkencat ekzakte, aty në televizion na kanë paragjykuar gjithë jetën, po në fakt si ka qenë ky ballafaqimi, ky “katapultimi”  i momentit të parë me parashutë në televizion? Bënë ata komente të tipit, p.sh është televiziv, s’është televiziv? Për mua vazhdojnë ta bëjnë akoma (qesh).

Xhemal Mato: Natyrisht. Ishte një rastësi. Në vitet ’70 kur unë fillova aty, televizioni kërceu nga dy ditë transmetim, kërceu menjëherë në 6 ditë transmetim dhe kërkonte shumë gazetarë. Kur isha student, shkruaja ndonjëherë shkrime shkencore , popullore atëherë, te faqja shkencore e “Zërit të Rinisë”, të një reviste dhe më shumë për kënaqësi , por edhe për ndonjë lek që merrja aty nga shkrimet dhe ato u bënë shkak që më kërkuan në televizion.

Sigurisht, isha i papërgatitur fare për ekran. Mendova se do të shkruaja dhe aty, mirëpo aty kërkohej ekran, kërkohej të hyje në ekran dhe aty pashë që duhet të kisha mbaruar shkollën e aktorëve dhe jo të fizikës!!! Ai tranzicion ka qenë shumë i vështirë dhe ç’është e vërteta, kur hyra njëherë, me urdhër si të thuash - se derisa je gazetar i shkencës ti duhet të dalësh në ekran - dhe unë hyra si i persekutuar, në kuptimin me shumë vështirësi. Kur një drejtor i asaj kohe më pa, tha: “Hiqeni nga ekrani këtë se s’është për ekran”!  Dhe punova nja dy vjet, bile punova me filma, duke shkuar nëpër uzina, fabrika, bëja filma shkencorë.

Pastaj erdhi problemi i “Apollos”. Atëherë ishte Todi Lubonja - drejtor dhe ai urdhëroi: “Duhet të dalë të komentojë “Apollon”! Ishte urdhër nga lart. Po të komentoje Amerikën atëherë ishte problem shumë i vështirë dhe s’kishim shumë informacion; ne merrnin nga RAI, kopjonin tekstet dhe bënin ato komentet dhe kjo u bë që u ktheva prapë në ekran...

Ndiqeni më mirë të plotë intervistën me të vetmin dhe të papërsëritshmin  Xhemal Mato në studion e “A Krasta Show”. SYRI