Kandidatja për ambasadore, Kadzadej: Intensifikim i marrëdhënieve me Turqinë në të gjitha fushat
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Blerta Kadzadej, kandidate për ambasadore të Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Shqipërisë në Turqi, rezident si dhe ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Shqipërisë në Azerbajxhan, në Republikën Islamike të Iranit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Republikën e Gjeorgjisë, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, jo rezident.
Ndërsa paraqiti platformën e kandidimit para anëtarëve të komisionit, Kadzadej shprehu përkushtimin për të punuar me përgjegjësi e profesionalizëm për përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë si dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.
Ajo nënvizoi se eksperienca gjatë 4 viteve të fundit si Konsulle e Përgjithshme e Shqipërisë në Stamboll ka bërë që të ketë një situatë të prekshme të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-turke në të gjithë dimensionet.
Në fjalën e saj, Kadzadej theksoi se viti 2023 shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe në këtë kuadër janë një seri aktivitetesh që kanë filluar të organizohen si në Tiranë edhe në Ankara.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Kadzadej veçoi ndihmën e ofruar nga qeveria dhe populli turk në çastet më të vështira të tërmetit me ndërtimin e 524 apartamenteve në zonën e Laçit apo sigurimin e vaksinave antiCOVID dhe ndërtimin e Spitalit Memorial të Fierit.
Ajo theksoi se dimensioni i marrëdhënieve dypalëshe ushqehet në nivelin më të lartë nga një dialog politik i vazhdueshëm e produktiv.
“Falë partneritetit e aleancës së dy vendeve tona në NATO, pozitës së dy vendeve si aktorë të rëndësishëm në rajon dhe faktor stabiliteti, shkëmbimeve të përgjithshme, bashkëpunimit intensiv politik e lidhjeve historike, bashkëpunimit ekonomik dhe falë investimeve turke e shkëmbimeve tregtare në rritje, marrëdhëniet dypalëshe natyrshëm kaluan në institucionalizimin e partneritetit strategjik me nënshkrimin e Deklaratës së Partneritetit Strategjik në Ankara në 6 janar 2021”, theksoi ajo.
Kjo deklaratë, sipas Kadzadej, identifikon edhe fushat kryesore të bashkëpunimit në ekonomi e tregti, transport e komunikim, energji e infrastrukturë, mbrojtje, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin në industrinë ushtarake, luftën kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm etj.
Ndërsa e cilësoi Turqinë si partner strategjik, Kadzadej siguroi se maksimalizimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat e sipërpërmendura do të jetë fokusi kryesor i punës së saj.
“Angazhimi im synon realizimin e objektivave dhe forcimin e mëtejshëm të nivelit të bashkëpunimit me interes të përbashkët të dy vendeve”, tha ajo.
Kadzadej theksoi po ashtu se kërkohet intensifikim i bashkëpunimit në fushat e narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave, krimit ekonomik e financiar, krimit kibernetik, kontrabandimit etj.
Ajo theksoi se ndjekja e zbatimit të 13 marrëveshjeve dhe memorandume të bashkëpunimit që janë firmosur në kuadër të deklaratës së Partneritetit Strategjik do jetë në fokus të punës së saj.
Në këtë drejtim, ajo veçoi ndjekjen e hyrjes së në fuqi të marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit nga pala turke, marrëveshje e nënshkruar në Tiranë në vitin 2020, por që nuk ka hyrë akoma në fuqi për shkak të vonesave procedurale në Turqi.





