KAS VENDOS SOT/ KQZ: Lefter Maliqi 5 kërkesa për rinumërim të të gjitha votave për Kuçovën
Kuçova është çështja e fundit që do të shqyrtohet nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në mbledhjen e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 13:00.
Kërkesa ankimore e depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe kandidati Lefter Maliqi për rinumërim të të gjitha votave, dhe që do të diskutohet nga KAS është publikuar edhe nga zyra e shtypit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Me kërkesën prej 5 pikash Kuçova rikthehet në tavolinën e anëtarëve të KAS, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që detyroi këtë organ të KQZ për ta shqyrtuar edhe një herë.
Shqyrtimi për kërkesën ankimore që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve për kryebashkiak të Kuçovës do t’i japë fund përballjes ligjore disa-javore në KQZ pas zgjedhjeve lokale te 14 majit.
Njoftimi i KQZ-së
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve zhvillon seancë publike për shqyrtimin e kërkesave ankimore.
Data e seancës: 12.06.2023
Ora 13:30 kërkesa ankimore nr. 67 dhe 74
Rendi i ditës:
Shqyrtimi i kërkesës ankimore me nr. 67, me ankues subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë” me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 101, datë 16.05.2023 të KZAZ nr. 64, Bashkia Kuçovë, qarku Berat “Për miratimin e tabelës përmbledhese të rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”.
Shqyrtimi i Kërkesës Ankimore nr. 74, datë 22.05.2023, depozituar nga z. Lefter Maliqi, me objekt:
- “Kërkojmë, ndryshimi i vendimit Nr. I01 datë 16.06.2023 të ZAZ Nr. 64 Bashkia Kuçovë, Qarku Berat, Për Miratimin e Tabelës Përmblëdhese të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”
– Kërkojmë, rinumërim dhe rivlerësim të votave për ZAZ-në Nr. 64, të gjitha QV-të duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave për QV-të e listuara në tabelë. – Kërkojmë pavlefshmërinë e Vendimit NR. 101 datë 16.05.2023, “Për Miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”
– Kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit të KQZ ku është emëruar sekretari i ZAZ, Nr. 64 Kuçovë, shtetasi Romeo Arizi.
– Kërkojmë, pavlefshmërinë e vendimit të KZAZ, Nr. 64 Kuçovë, Qarku Berat, për shtyrjen e numërimit të votës, nga ora 11:00 deri në 12:30.
– Kërkojmë, pavlefshmërinë e pjesshme të fletës së votimit Kandidatët për Kryetar Bashkie për Bashkinë Kuçovë, në pikën ku është shënuar kanidati për Bashkinë Kuçovë Qarku Berat, Kreshnik Hajdari.
– Pavlefshmërinë e veprimit juridik, formularin e dekriminalizimit, në emër të Kreshnik Hajdarit dorëzuar pranë KQZ referuar ligjit, nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojne funksione publike”.
Proceset në KAS
KAS është angazhuar për një numër të konsiderueshëm kërkesash ankimore nga subjekte të ndryshme politike, ku numri më i madh është prezantuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Javën e fundit KAS ka hapur kutitet e votimit dhe ka rinumëruar votat për kryebashkiak të bashkive Rrogozhinë dhe Belsh.
Rivlerësimet e votave në të gjitha qendrat e votimit në këto dy bashki nuk kanë ndryshuar rezultatin, duke konfirmuar në detyrë kandidatët fitues, përfaqësues të Partisë Socialiste.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka ankimuar në proceset në dy bashki ku votimi dhe numërimi është kryer përmes elektronikës.
Në Kamëz dhe Elbasan është kërkuar nga aleanca opozitare kryerja e ekspertizës së pajisjeve elektronike nga profesionistë të pavarur të huaj, si dhe shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve e për pasojë ripërsëritja e tyre në këto dy bashki.
Opozitarët pretendonin për parregullsi në pajisjet elektronike dhe për pasojë tjetërsim të votës. Në rastin e Kamzës KAS i ka rrëzuar kërkesat e ankimore.
Edhe ankimi për Elbasanin është rrëzuar, por pasi janë rivlerësuar votat në 3 Qendra Votimit.
Rezultati i rivlerësimit tregoi se votat në pajisjen elektronike përputheshin me fletët e printuara pas votimit, të gjetura në kuti.







