Gjiknuri dhe Balla, urime për 32-vjetorin e partisë: PS, alternativa më progresiste në Shqipëri
Në 32 vjetorin e themelimit asnjë ftesë për kundështarët politikë. Partia socialist do të festojë sot 32 vjetorin e themelimit. Mësohet se ndryshe nga më parë në aktivitetin që do të zhvillohet mbasdite, nuk do të ketë të ftuar nga opozita.
Në 32-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, politikanë dhe drejtues të kësaj force politike dhanë urimet e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në 32-vjetorin e krijimit të PS-së, u shpreh se kjo forcë politike ka dëshmuar më së miri në këto vite se është alternativa më progresiste në Shqipëri.
“Një falënderim i përzemërt sot për ata burra e gra, vajza e djem që 32 vite më parë, vendosën së bashku të themelojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë! Nuk kemi pse të mos ndjehemi sot krenar. Kjo forcë politike ka dëshmuar më së miri në këto vite se është alternativa më progresiste në Shqipëri. Është energjia pozitive që ka ditur të udhëheqë vendin vetëm përpara duke u përballur jo rrallë me sfida të shumëfishta”, tha ai.
Gjiknuri shprehu mirënjohjen për këdo që u angazhua ndër vite si pjesë e Partisë Socialiste, këdo që dha sado pak nga vetja për të bërë realitet ëndrrën tonë të përbashkët, çdo anëtar partie, patronazhist, simpatizant dhe drejtues.
“Pa ju, sigurisht nuk do të kishte qenë e mundur të kemi partinë që shohim sot. Fitorja e thellë dhe e padiskutueshme në 14 Maj është “dhurata” më e bukur për këtë 32-vjetor. Një “dhuratë” që duhet dhe do të na bëjë edhe më të përgjegjshëm në qeverisjen e vendit, falë aftësisë sonë për t’u vetëkorrigjuar e përmirësuar”, tha ai.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla uroi sot 32-vjetorin e Partisë Socialiste, duke e cilësuar si forca politike më e madhe në vend.
Balla u shpreh se PS ka qenë gjithnjë në anën e duhur të historisë për të krijuar një shtet me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar.
“Gëzuar ditëlindjen e 32-të Partisë Socialiste të Shqipërisë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve, forca kryesore që spikat në përpjekjen dhe orientimin proeuropeist për të ndërtuar dhe forcuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, mbi parimet e solidaritetit social".
Sipas tij, “Partia Socialiste në gjithë rrugëtimin e saj ka qenë dhe mbetet në anën e duhur të historisë së Shqipërisë, për një shtet shqiptar me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar”.
“Urime të gjithë anëtarëve, patronazhistëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste”, tha Balla.



