VIDEO/ Si Berlusconi u përlot pas tragjedisë së Otrantos. Politika shqiptare ngushëllon Italinë: Ishte mik i shqiptarëve

Ish-kryeministri Berlusconi, në një video të publikuar shihet i përlotur për tragjedinë në Kanalin e Otrantos, që ndodhi më 28 mars 1997, njohur ndryshe edhe si përmbytja e Katerit të Radës.

Anija shqiptare me 142 persona në bord, u përmbys nga forcat detare italiane në Ngushticën e Otrantos, duke shkaktuar humbjen e jetës së 57 personave, të moshave nga 3 deri në 69 vjeç.

Në atë kohë, Berlusconi në opozitë është shprehur: “Unë besoj se Italia nuk mund të pranojë t’i japë botës imazhin e dikujt që hedh në det dikë që po arratiset nga një vend fqinj, duke pasur frikë për jetën e tij, duke kërkuar shpëtim dhe arratisje në një vend ku ai e konsideron mik.

Detyra jonë është t’i pranojmë ata që gjenden në këto kushte. Duhet ta lajmë këtë njollë që ka ardhur nga një vendim që nuk duhej marrë”.

Për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit italian kanë reaguar dhe përfaqësues të politikës shqiptare.

Presidenti Bajram Begaj: “Lajm i trishtë! Miku i shqiptarëve, Silvio Berlusconi, ndahet nga jeta. U prehtë në paqe!”.

Kryeministri Edi Rama: “Lamtumirë President dhe mik i mirë i Shqipërisë”.

Ish-Kryeministri Sali Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për Silvio Berlusconin. Silvio Berlusconi, italiani i madh dhe i pavdekshëm, themeluesi dhe udhëheqësi i Forza Italia, ish-kryeministri i shquar i Italisë, shtetari që lartësoi më shumë se kushdo tjetër, rolin e Italisë në Europë dhe botë, simboli i suksesit të inicativës së lirë, miku i madh i kombit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë. Kombi mik italian është sot në zi dhe së bashku me të, miqtë e Silvio Berlusconit në mbarë botën.

Silvio Berlusconi ishte një mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, i Kosovës, i kombit shqiptar, i PD-së dhe i imi personalisht. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për kombin mik italian, është një humbje e madhe për forcat politike të qendrës së djathtë në Europë dhe në botë. Është një humbje e madhe për Shqipërinë, Kosovën, të cilat ai i mbështeti dhe në momente kritike me vendosmërinë më të madhe. Rikujtoj shqiptarëve se 24 vite më parë, kur Kosova digjej në flakët me operacionit ‘Patkoi’, Luani i Apenineve udhëhiqte opozitën italiane. Por kjo nuk e pengoi të mbështesë qeverinë italiane të majtë të asaj kohe, në vendimin për të autorizuar përdorimin e bazave të NATO-s për bombardimin e regjimit të Millosheviçit.

Në takime të shumta, që unë kam pasur me të në Itali, Shqipëri, Europë, kam ndjerë nga afër ndjenjat e tij më miqësore për shqiptarët, respektin e tij për kombin tonë. Me këtë rast, unë duke shprehur mirënjohjen time të pakufishme për miqësinë e tij ndaj meje, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ndaj PD-së, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Berlusconi, miqve, të afërmve të Kavalierit të pavdekshëm. Do ta nderoj këtu me një minutë heshtje, kujtim e pavdekshëm të mikut të madh, Silvio Berlusconi.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta: Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Presidentit Silvio Berlusconi, të admiruar për lidershipin frymëzues! Duke vlerësuar lart kontributin e Tij të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë, jam i bindur se do të kujtohet përherë me respekt. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe popullin italian për këtë humbje të madhe!

Deputeti Tritan Shehu: Berlusconi, një humbje madhore për Italinë, Evropën e Botën demokratike! Një nga ata personalitete, aktorë politikë, që historia nuk i sjell shpesh në “skenë”. Ashtu siç e solli atë demokracia italiane mbas vitit 1992, pikërisht kur ajo ndjehej në rrezik. Një figurë emblematike ajo më tej edhe për BE, stabilitetin kudo. Një politikan, që kishte një vizion të qartë, thellësisht miqësor e vlerësues edhe për vendin e Rajonin tonë në tërësi. Një njeri me “zemër” të madhe, gjithmonë miqësor e i hapur. Ngushëllimet më të sinqerta familjes e miqve të tij të pa numërt. Forca Italia, që ai e krijoi dhe rriti në momente shumë të vështira për Italinë. Qeverisë italiane e koalicionit qeverisës! Politikës italiane e Italisë mike!