Balla: Patronazhistët, strukturë që e kanë të gjitha partitë fituese në Europë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga opozita ndaj Partisë Socialiste, se po dhunon të dhënat personale me aplikacionin “Aktivisti”.
Për Ballën, opozita nuk analizon humbjen e saj në 14 maji, por gjen shkakun tek strukturat e Partisë Socialiste.
“Është bërë e udhës që opozita, që humb zgjedhje pas zgjedhje e shikon arsyen e humbjes tek strukturat organizative e Partisë Socialiste dhe e dëgjova zonjën Vokshi të përmend patronazhistët apo aktivistët e Partisë Socialiste. Një strukturë apo një organizim që e kanë të gjitha partitë politike, fituese në Europë. Ju, jo ju bishti, por flasë për ata që janë Partia Demokratike me letra, jeni parti si motër e Kristian Demokratëve Gjermanë, merrini e pyetini, a kanë Partia Unioni Kristian Demokrat Gjerman, a ka një aplikacion të vetin, padyshim që e kanë. Tani të vish këtu e të thuash në Kuvend, përse PS ka një aplikacion të vetin, dhe kjo është shkelje, ose dhunim i të dhënave personale, është minimalisht idiotësi, që ju vazhdoni ngulni këmbë në këtë idiotësi dhe ne do vazhdojmë t’ju mundim përsëri”, tha Balla.
Balla u shpreh se organizimi i quajtur “Patronazhisti” është një model i ngjashëm me atë që ka Partia Demokrate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dua të sqaroj opinionin publik se qoftë organizimi ynë përmes atyre që quhen patronazhistë, është diçka që e kanë të gjitha partitë, PD amerikane është modeli më i mirë i këtij organizimi dhe ndërkohë që qoftë aplikacioni aktivisti, është diçka që falë edhe institucioneve që e dinë fare mirë që është diçka që bëhet me vullnet të lirë të qytetarit, të shtetasit, dhe që nuk ka asnjë kundravajtje ligjore me atë që përcakton legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.
Sipas tij, tek aplikacioni aktivisti, çdo qytetarë jep konsensusin e tij për adresimin e të dhënave personale.
“Kjo është keqardhje shumë e madhe. Aplkacioni “Aktivisti” është një aplikacion që hynë me vullnet të lirë, jep konsensin paraprakë për ato të dhëna personale që ti adreson në aplikacion, dhe që janë minimale, adresa e-mailit, mosha…etj. Ju mirë t’ju bëhet, s’keni për të vendosur kurrë mend dhe këtu po flisja për bishtin e sallës, për zonjën Vokshi. Ne do të vazhdojmë që të respektojmë ligjin”, përfundoi Balla.
Më herët, nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PD, Albana Vokshi, duke diskutuar mbi raportin vjetor të “Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, akuzoi Partinë Socialiste se përmes strukturave si “Patronazhisti” apo “Aktivisti” ka cënuar të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë.



