Metani: ILD trajtoi 1715 ankesa në 2022-shin, 28 vendime për hetim disiplinor
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani raportoi sot në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e ILD-së gjatë vitit 2022. Metani theksoi se në vitin 2022 në total janë trajtuar 1715 ankesa, 534 prej të cilave ishin ankesa të prapambetura.
Ai bëri të ditur se aktualisht kanë ngelur 345 ankesa të prapambetura para vitit 2020, ndërsa u shpreh besimplotë se me ritmin që po ecet në trajtimin e tyre këto ankesa të shqyrtohen brenda 6 muajsh.
Ndërkohë, Metani shprehu bindjen se ankesat e bëra përgjatë viteve 2020-2021 do të trajtohen deri në fund të vitit.
“Në raport me verifikimin e ankesave dhe trajtimin, dua të sqaroj diçka sepse shpesh shifrat ngatërrohen. Në vitin 2020 kur ky institucion u konstituua u trashëgua një numër i madh ankesash që vinin nga KLD e mëparshme apo Prokuroria e Ministria e Drejtësisë. Ankesa të patrajtuara ishin për shkak të vakumit institucional. Numri ankesave të ardhurave ishte 2100. Në momentin që nisi puna, numri ankesave u shtua, ku ishin dhe të prapambetura, dhe për këtë ne krijuam një urdhër për metodën që ndiqej, pra do merreshim me të vjetrat apo të rejat. Pasi s’mund t’i linim as ato të prapambetura, por edhe të rejat pasi duhet t’i përgjigjeshim edhe besimit të publikut”, tha ai.
Për vitin 2022, sipas Metanit, numri ankesave të mbetura ishte 2678 ankesa dhe numri i ankesave të reja në vitin 2022 ishte 789, në një total prej 3467 ankesash.
Duke folur për rezultatet e hetimit dhe procedimeve disiplinore për vitin 2022, Metani bëri të ditur se janë miratuar 28 vendime për hetim disiplinor dhe janë hetuar për shkelje të pretenduara 41 magjistratë.
“Për 6 magjistratë, 3 gjyqtarë dhe 3 prokurorë janë paraqitur kërkesat për procedim. Për 22 magjistratë, 20 gjyqtarë dhe 2 prokurorë ka përfunduar hetimi disiplinor pas përfundimit të statusit të magjistratit, apo për shkak se provat janë të pamjaftueshme.
Për 13 magjistratë dhe 1 prokuror procedurat janë në proces. Për tre kërkesa, ILD ka kërkuar 1 shkarkim nga detyra, 1 pezullim nga detyra, dhe 1 vërejtje publike. KLGJ ka vendosur për rastin e shkarkimit nga detyra ka pranuar pjesërisht vendimin, duke vendosur masë alternative dënimi”, informoi ai.
