10 të arrestuar në Bashkinë e Durrësit, mes tyre dhe ish-kryebashkiaku Vangjush Dako
Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar dhe 3 janë në masë sigurie në banesë me vendim të SPAK.
Të akuzuarit janë të zyrës juridike të bashkisë, Urbanistikës, INUV, ALUIZNI-t, përfshirë dhe një administrator kompanie private.
Akuzat janë për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh ndërsa janë zhvilluar kontrolle në banesat e tyre.
Hetimet ndaj tyre kanë nisur për procedurat në ndërtimin e një pallati Kanë qenë banorët që kanë bërë denoncimin duke nisur dhe hetimet. Një tjetër proces është edhe për një tender të viteve 2014 – 2015 me një vlerë prej 180 milionë lekësh.
Vetë Dako dy muaj më parë mësohet se u mor në pyetje e pasi prokurori ngriti akuza një gjykatë refuzoi masën për arrestimin. Ka qenë vendimi i apelit që këtë të martë ka vënë në veprim policinë. Burimet shtuan se Dako është vetëdorëzuar në polici.
Në tetor të vitit 2018 prokuroria konfirmoi zyrtarisht se Vangjush Dako ishte person nën hetim, në atë kohë pasi doli në përgjimet mbi zgjedhjet e asaj kohe.
Të tjera akuza ndaj tij u ngritën nga opozita edhe me fondet e tërmetit, por për këtë çështje nuk pati deklaratë apo qëndrime prej akuzës.
Në 31 korrik të vitit 2019 Vangjush Dako u shpall person non grata prej departamentit amerikan të shtetit me argumentin se ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni ose shkelje të të drejtave të njeriut
Vangjush Dako u zgjodh kryetar i Bashkisë së Durrësit në vitin 2007 post që e mbajti deri më 2019, kohë kur u vendosi të mos rikandidojë. Pavarësisht zhvillimeve në krye të bashkisë bregdetare fitoi sërish kandidatja e partisë socialiste Valbona Sako, e cila po ashtu u tërhoq nga detyra vetëm pak muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.
