Frika ndaj autokracisë, bashkë me ish-kryeministrin, qindra mijëra qytetarë në protestën anti-qeveritare në Poloni

Qindra mijëra njerëz marshuan në një protestë anti-qeveritare në kryeqytetin e Polonisë të dielën, me qytetarët që udhëtonin nga i gjithë vendi për të shprehur zemërimin e tyre ndaj zyrtarëve për të cilët ata thonë se kanë gërryer normat demokratike dhe kanë krijuar frikën se kombi po ndjek Hungarinë dhe Turqinë, rrugën drejt autokracisë.

Kryetari i Bashkisë së Varshavës Rafal Trzaskowski, i cili i përket partisë opozitare që udhëhoqi marshimin, vlerësoi se morën pjesë 500,000 njerëz. Portali i lajmeve Onet vlerësoi se ishin të paktën 300,000 në kulmin e marshimit.

Turma të mëdha u mblodhën gjithashtu në Krakov dhe qytete të tjera anembanë kombit prej 38 milionë banorësh, duke treguar zhgënjimin me një qeveri që kritikët e akuzojnë për shkelje të kushtetutës dhe gërryerje të të drejtave themelore në Poloni.

Ish-presidenti Lech Walesa, lideri i lëvizjes Solidariteti që luajti një rol historik në rrëzimin e komunizmit në Poloni, marshoi së bashku me liderin e partisë opozitare të Platformës Qytetare, ish-kryeministrin Donald Tusk.

Walesa dhe Tusk shahen nga partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi e udhëhequr nga Jaroslaw Kaczynski dhe turma e Varshavës brohoriti “Demokraci!” dhe “Kushtetuta!”

Tubimi filloi në zyrën e kryeministrit Mateusz Morawiecki dhe përfundoi në Kështjellën Mbretërore, ku Tusk përshëndeti pjesëmarrjen dhe u zotua të luftojë për të fituar zgjedhjet e vjeshtës.