Këshillimi i Karrierës për klasat e 9-ta, Kushi: Pranë jush për të bërë zgjedhjen e duhur

Prej janarit të këtij viti Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur shërbimin për Këshillimin e Karrierës për klasat e 9-ta në të gjitha shkollat e vendit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në një videomesazh për nxënësit dhe prindërit shprehu dobinë e kësaj nisme për menaxhimin e drejtë të karrierës së tyre në të ardhmen.

“Qëllimi i kësaj nisme është orientimi i nxënësve që së bashku me prindërit të marrin vendimet e duhura kur zgjedhin mes arsimit të përgjithshëm, arsimit të orientuar dhe arsimit profesional”, theksoi Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se “ky shërbim do t’i ndihmojë ata për menaxhimin e karrierës së tyre në të ardhmen bazuar jo vetëm në përgatitjen, preferencat dhe aftësitë profesionale, por edhe në nevojat e specifikat e tregut të punës”.

Kushi kërkoi nga nxënësit të përfitojnë nga koha e mbetur për të reflektuar mbi drejtimin që do të ndjekin.

“Ftoj të gjithë ata që ende nuk e kanë marrë vendimin të shfrytëzojnë edhe këto ditë që kanë mbetur deri në përfundimin e vitit shkollor. Mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe ekipet tona do të jenë pranë jush për të bërë zgjedhjen e duhur”, tha Kushi.

Disa nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare shprehën se çfarë drejtimi kanë dëshirë që të ndjekin për arsimin e mesëm.

Shërbimi i këshillimit të karrierës në shkollat 9-vjeçare është një mundësi e mirë për nxënësit që të bëjnë zgjedhjen e duhur në funksion të një karriere të suksesshme për të ardhmen.

/ATSH/