Tahiri del nga burgu, do të qëndrojë në arrest shtëpie, shkak gjendja shëndetësore e gruas
Saimir Tahiri prej kësaj të premte nuk do të qëndrojë më në qeli. Me vendim gjykatë 19 muajt e mbetur nga dënimi për shpërdorim detyre, do t’i kalojë në izolim në banesë. Shkak për lehtësimin e masës u bë gjendja e vështirë shëndetësore e bashkëshortes së ish ministrit të brendshëm
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është liruar nga burgu.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Matilda Fetahu, e cila pranoi kërkesën për vuajtjen e dënimit të mbetur në kushte shtëpiake.
Janë 19 muaj dhe 15 ditë, që Tahiri duhet të qëndrojë në ambientet e banesës dhe në kontakt me forcat e rendit.
Tahiri ka përdorur një epikrizë mjekësore të bashkëshortes së tij, Fatlinda Tahiri, e cila e ka të pamundur të kujdeset për dy fëmijët e mitur.
Hetimi për ish-ministrin e Brendshëm, filloi nga Krimet e Rënda në vitin 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me një grup të trafikut të narkotikëve, të drejtuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë.
Në 4 shkurt 2022, u dënua me 3.4 vite burgim nga të cilat 1 vit e 4 muaj i ka në burgun 313, në Fieri, në Rrogozhinë dhe së fundi në Bradashesh.
