Zbulohet baza e minave, 43 kallëpe, 3 me telekomandë dhe 2300 fishekë në Lurë

Një arsenal armësh përfshirë mina me telekomandë,  tritol dhe mijëra fishekë I janë kapur një 66-vjeçari në Lurë. Kanë qenë të dhënat e informatorëve se ai furnizonte grupet kriminale që vunë në lëvizje policinë.

Policia ka mundur të zbulojë një pikë të madhe të furnizimit të grupeve kriminale me armë dhe lëndë shpërthyese.

66-vjeçarit Qemal Ajazi i janë kapur 3 mina me telekomandë, 40 kallëpe tritoli, 45 detonatorë por edhe mjete të tjera ndihmëse për realizimin e shpërthimeve.

Pamjet e publikuara nga policia për bazën në fshatin Arrëmollë në Lurë tregojnë në fakt arsenalin e armëve që ai dispononte ndërsa akuzohet se i tregtonte për grupet që shfaqnin interes kundrejt pagesave të ndryshme.

Për mediat thuhet se të ndaluarit iu kapën edhe 2 armë zjarri dhe 45 krehëra me fishekë. Po ashtu në kutitë që shfaqen në pamje dhe në thasë të ndryshme janë të vendosur edhe 2 mijë e 200 fishekë luftarake.

Policia shprehet se nuk i kishte për vetë mbrojtje, por nga informacionet e marra prej bashkëpunëtorëve ai furnizonte persona me precedentë penale.

Pas konfirmimit të të dhënave në zonë u zhvillua kontrolli i menjëhershëm, ku materialet u gjetën në makinë por edhe në banesë. Dosja i ka kaluar prokurorisë së Lezhës ku I 66 vjeçari do të përballet me akuzat.