E thotë Rama: Serbia ka pushuar së qeni kërcënim për Kosovën në vitin 1999

Kryeministri Edi Rama kujtoi se sot ka një realitet komplet tjetër dhe Kosova nuk mund të sillet sikur Serbia është kërcënim për të. I ftuar në një studio televizive, Rama tha se, Serbia ka pushuar së qeni kërcënim për Kosovën në vitin 1999.

“Asnjë, asnjë gjë nuk mund t’i bëjë Serbia Kosovës. Edhe ushtria që vjen atje e këndon ‘Kosova është e jona është pasqyra më kuptimplotë e impotencës së Serbisë në raport me Kosovën. Njësoj sikur ushtria meksikane të mblidhet te kufiri i SHBA-së dhe të këndojë ‘Amerika është e jona’. Edhe ajo ushtri, Kosovës nuk i bën dot asnjë lloj gjëje”, tha Rama.

Sipas tij, “të biesh në këtë lloj provokimi 25 vjet rresht është vërtetë infantile”.

“Kosova nuk kërcënohet nga Serbia. Serbia nuk është kërcënim për Kosovën. Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë luftën me Kosovën dhe e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën”, tha ai.

Sipas Ramës, “Kosova duhet të shikojë përpara dhe duhet të mos të harrojë asnjëherë se është sot e lirë, e pavarur, demokratike sepse janë të gjithë ata, të cilët sot po i kërkojnë Kosovës të sillet si shtet serioz dhe i pjekur dhe jo të nxjerrë kunja për 4 kryetarë komunash që e kanë mbaruar funksionin e tyre”.

“Ata mjaftuan që problemi të shtrohet, tani problemi është shtruar. Tani thjesht serbët duhet të kthehen në institucione. Kosova duhet të bëjë zgjedhje. Po të isha unë në vend të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit do i kisha shpallur zgjedhjet menjëherë pa hyrë në asnjë polemikë me asnjë mik e partner. E di që sovraniteti është sovranitet, por di që edhe sovranitet për vende si ne, duke humbur aleatët dhe partnerët tanë, aq më tepër për gjëra që janë kundër nesh, të ardhmes sonë, është realisht një teprim i madh, sipas meje”, shtoi ai.

Rama theksoi se kjo bëhet për politikë të brendshme nga të dyja palët.