Rama nga Elbasani: Mbrojtje dhe mbështetje çdo qytetari pa dallim politik
Kryeministri i vendit Edi Rama vijoi sot turin e falënderimeve për rezultatin e zgjedhjeve vendore, me një takim me banorë të Elbasanit.
Duke e cilësuar fitoren e 14 majit një arritje të thellë për PS-në, Rama tha se, “fuqia jonë buron drejtpërdrejtë nga të gjithë ata që janë anëtarë të familjes tonë politike në të gjithë territorin, të cilët duke ndërvepruar të gjithë së bashku me zemër në një drejtim, e bëjnë PS më të fortë dhe të fitojë në çdo zgjedhje”.
Rama tha se “duhen kuptuar edhe kundërshtarët tanë, të cilët deri në momentin e fundit janë të krekosur e premtojnë fitore të mëdha, rrëzime të mëdha të gjithë shumicës tonë dhe papritur ngrihen në mëngjes si të tronditur nga makthi e flasin për grabitje të votave, e vjedhje, sepse nuk e kanë idenë ça rrjeti kapitali njerëzor, mendjesh e zemrash, i shtrirë në të gjithë territorin e vendit, është Partia Socialiste. Ata nuk e dinë se çfarë skuadre është PS”.
Kryeministri u ndal tek numri i lartë i votave që mori PS-ja në zgjedhjet e 14 majit, teksa tha se “shumë njerëz që nuk kanë votuar për ne, e kanë pozicionuar veten djathtas, por e panë që vota e 14 majit duhej vendosur me mendje, jo me zemër dhe vendosën votën për ne, sepse besojnë që ne jemi ata që mund ta çojmë Shqipërinë përpara. Ndërsa një pjesë tjetër nuk doli në votime duke i braktisur ata për të cilët kanë votuar ngahera, duke dhënë një kontribut të çmuar për kombin, sepse ata menduan se kujt mund t’ia lënë në dorë kopshtet, çerdhet e shkollat, përveç se kryetarëve tanë”.
“Ne kemi bërë dhe gabime, por ama jemi të vetmit që themi atë që bëjmë dhe dimë si ta çojmë këtë vend përpara”, deklaroi Rama.
