Rëndësi ka pjesëmarrja/ Berisha: Opozita i dha fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte
Për ish-kryeministrin Sali Berisha më e rëndësishme është pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit, se sa rezultati që u arrit nga koalicioni që ai drejtoi, “Bashkë Fitojmë”.
Në mbledhjen me me 61 kandidatët, kryetarët e bashkive dhe kryetarët e degëve të PD-së së Rithemelimit, Berisha tha se Opozita i dha fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte.
“Ajo që mund të them në tërësi ju si kandidatë keni bërë një punë shumë serioze, keni qenë të vetmit kandidatë që paraqitët alternativë të vërtetë për problemet e bashkive tuaja.
U dëshmuat njohës shumë të mirë të të gjitha problemeve. Studiuat me interes të madh dhe paraqitët zgjidhje për çështjet e keqqeverisjes aktuale dhe një alternativë shumë të mirë për të ardhmen.
Bëtë një fushatë serioze, një fushatë dinjitoze.
Qëndruat të gatshëm në çdo rast për transparencë dhe ballafaqim me rivalët tuaj politikë, gjë e cila kam bindjen se është një detyrim i çdo kandidati dhe politikani që merr pjesë në fushatën elektorale.
Në këto zgjedhje, natyrisht rezultati është larg atij që ju meritonit dhe që pritej.
Por, përsëri duhet të shtoj se beteja jonë kishte qëllimin më madhor, rikthimin e pluralizmit në qeverisjen vendore mbasi për fatin më të keq, PD në një kontribut antihistorik, kishte braktisur zgjedhjet e vitit 2019 dhe në një mënyrë ose një tjetër, bërë të mundur vendosjen e monizmit në Shqipëri.
Sot, në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale, ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën që kanë bërë dhe për misionin e rëndësishëm që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte.
Opozitë që ka një mision shumë të rëndësishëm për të bërë gjithçka, për të nxjerrë përpara publikut shqiptar, grabitjen e pasurive nga qeveritarët dhe të pasurit, në kurriz të varfërimit dhe përzënies së të varfërve nga Shqipëria.
Nëse nuk kishim asnjë zë dhe deri para 14 majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte, tani kjo ka marrë fund.
Përveç kësaj, në disa bashki si Mirdita, Puka, Fushë Arrëzi, Kavaja, Himara, fituan kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe unë jam i bindur se këta kandidatë, këta kryetarë bashkie, do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin, për qytetarin”, u shpreh deputeti demokrat.
Berisha u shpreh gjithashtu, se kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq antikushtetuese nga mafia shtetërore shqiptare e ndërkombëtare, për të shuar opozitën
“Një përpjekje mafioze shqiptare- ndërkombëtare për të asgjësuar opozitën shqiptare, dëshmoi në mënyrën më të turpshme.
Kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur, kaq antikushtetuese, kaq antiligjore nga mafia shtetërore shqiptare dhe ndërkombëtare, për të shuar opozitën në Shqipëri.
Kurrë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur për ta vendosur atë në kontroll të plotë të interesave mafioze të Edi Ramës.
Ju, të dashur kandidate dhe kandidatë, kryetarë të degëve, operuat në një situatë të jashtëzakonshme. Situatë me të cilën mafia shqiptare dhe ndërkombëtare, u përpoq të bëjë gjithçka që ne të mos ishim aktorë në zgjedhje në vendin tonë.
Krijoi çdo pretekst dhe mori çdo masë që ne të mos hynim në këto zgjedhje.

Edi Rama, me ndihmën e ish-ambasadores amerikane, McGonigalit me fustan, ndërhyri në procesin gjyqësor në kundërshtim me çdo parim të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe i mori forcës politike vulën, logon, tre ditë para fillimit të fushatës, me qëllimin që kjo forcë politike të mos hynte në fushatë.
Por, ne nuk mund të binim viktimë e një akti antishqiptar, antidemokratik të mafies së Edi Ramës dhe George Sorosit. Kjo nuk mund të ndodhte.
Kurrë në historinë e një vendi të lirë nuk ka ndodhur, që koalicionit opozitar, t’ia caktojë kryetarin qeveria. Dhe ky përbën një nga aktet më të shëmtuara me qëllimin e vetëm për të goditur në zemër opozitën, për ta bërë atë fiktive.
Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur që 61 kandidatë në 61 bashki të vendit, të kenë zero financime publike. Dhe sot pas gjithë kësaj batërdie, përfaqësojnë mbi gjysmë milionë shqiptarë dhe taksat e tyre.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një vendi, në historinë e Shqipërisë, që në kulmin e fushatës elektorale, qeveria të dërgojë zarfin ne 683 mijë pensionistë me 50 mijë lekë, duke shpalosur kështu platformën e hapjes, platformën e blerjes me vendime zyrtare të votës së shqiptarëve.
Nuk ka ndodhur kurrë që fushata elektorale të bëhet me rritje rrogash dhe në mes të fushatës të rriten rrogat. Këto nuk kanë ndodhur ndonjëherë.
Me gjithë këto, ju ia dolët të merrni gjysmë milionë vota. Ju ia dolët t’i thoni kësaj mafie antidemokratike, antishqiptare, se ky popull ka ideale demokratike. Se ky popull nuk pranon monizmin.
Kjo ishte një përgjigje përfundimtare ndaj atij skenari që kërkon të shkatërrojë kombin përmes shkatërrimit të opozitës”, theksoi Berisha.
Ai tha se analiza e zgjedhjeve, që do jetë faza tjetër pas denoncimit të asaj që ai e cilëson si masakër elektorale, do bëhet me seriozitetin më të madh.
“Kundër jush u përdorën qindra milionë euro. 500 milionë euro në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Përveç disbursimit në zonën e tërmetit të miliona e miliona eurove në llogari bankare të qytetarëve të ruajtura apostafat për fushatën elektorale, këto ishin zgjedhjet e para ku vendimet e qeverisë për zarfin dhe rritja e rrogave, u bënë faktor determinues për rezultatin.
Bota e krimit ishte në këto zgjedhje më e egër, më e organizuar se në çdo zgjedhje të tjera.
Bandat kriminale u fuqizuan dhe inkurajuan nga nxjerrja nga burgjet apo sjellja nga Dubai e eksponentëve kryesorë të tyre.
Cila ishte blerja nën dorë e votës? Asnjë njeri nuk denoncon dot sepse ai që merr paratë bën vepër kriminale.
Opozita nuk ka mjete përgjimi dhe nuk ka autorizim të ketë mjete filmimi. Ajo ka mbledhur çfarë sjellin qytetarët. Ata që kërkojnë prova nga opozita, janë avoketërit e blerjes së votës.
Ata që thonë se nuk i filmuat apo nuk i kapët, ata janë bashkë me hajdutin. Ata kanë të njëjtin moral.
Si gazetar duhet të mbrosh interesin publik dhe jo të përpiqesh të sfumosh, të mbulosh një krim monstruoz të paparë. Ti dëshmon se për ty opozita nuk ka rëndësi, liria nuk ka rëndësi. Për ty ka rëndësi xhepi dhe vetëm xhepi. Ato që të jep qeveria.
Opozita as nuk filmon dhe as nuk përgjon. Nuk ka programe survejimi të qytetarëve. Me ligj dhe Kushtetutë janë të përcaktuara qartë organet dhe institucionet që u lejohet një praktikë e tillë.
Kjo praktikë nuk parashikohet për partitë politike.
Opozita së shpejti do finalizojë raportin. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ju, por e gjykuam të nevojshëm këtë takim sepse kjo është java e fundit nga e cila kërkojmë nga ju për të mbledhur edhe çdo fakt tjetër që mund të ketë mbetur pa u mbledhur. Çdo fakt, çdo dokument, çdo denoncim, në mënyrë që ky raport të jetë sa më i plotë.
Ky raport do u paraqitet shqiptarëve, do u paraqitet ndërkombëtarëve.
Pas përfundimit të këtij raporti, ne do nisim analizën dhe unë them se është në detyrimin tonë absolut një analizë më seriozja që kemi bërë ndonjëherë për zhvillimet, për problematikat, për mangësitë, për defektet e të gjithë makinerisë sonë elektorale nga kreu tek anëtari i thjeshtë.
Mbledhja e këtyre të dhënave është e një rëndësie të jashtëzakonshme, është një detyrim moral dhe ligjor që kemi përpara zgjedhësve shqiparë.
Është jetik për t’u dhënë përgjigjen më të mirë problemeve dhe për të shkuar drejt betejës së ardhshme.
Kështu që dua të siguroj anëtarët dhe mbështetësit e PD se analiza e zgjedhjeve, që do jetë faza tjetër pas denoncimit, do bëhet me seriozitetin më të madh. Nuk ka asnjë mëdyshje”, tha Sali Berisha.
Berisha theksoi se tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve, pasi sicc tha ai, me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka.
“Unë u them kandidatëve dhe kryetarëve që fituan, në këtë fushatë, të cilët e nisët pasi u votuat si kandidatë të primareve, ju ishit misionarë të vërtetë të një modeli të paparë.
Misionarë të modelit të lirisë, por unë u ftoj ju, ftoj kryetarëve e degëve dhe të gjithë demokratët të vazhdojmë misionin tonë.
Ua them këtu haptas, se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka, e kam deklaruar disa herë.
Në emër tuaj kam deklaruar se do mbroj votën dhe atë po bëj. Nuk e mbrojmë me armë, ne jemi opozitë e parimeve demokratike, nuk jemi as guerrilas, as parti e pushtetit me dhunë, përkundrazi ne jemi opozitë demokratike.
Por, në këto kushte, unë u ftoj ju të qëndroni si misionarë sepse Shqipëria, pluralizmi dhe demokracia janë në shkatërrim.
Ishte shumë e veçantë kur ju garonit kundër rivalëve tuaj dhe nuk kishim gjëkundi një këshilltar që të na informonte për të gjitha keqbërjet e këshillit dhe kryetarit. Sot kemi këshilltarë, edhe ata janë misionarë.
Ky mision ka një qëllim të pandryshueshëm. Qëllimi është rikthimi i votës së lirë te shqiptarët dhe votë të lirë me Edi Ramën kryeministër nuk ka. E kemi thënë dhe do e themi, nuk do tallemi me veten tonë.
Si misionarë duhet të përgatitemi krahas përpjekjeve për një analizë sa më serioze të problematikave tona të brendshme, që të ngremë partinë në një nivel tjetër administrativ, të përtërimë siç erdhët ju me primaret, të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.
A e kemi bërë ne këtë? Jo. A e ka bërë për PD? Jo. Nëse në vitin 2021 në prill, të cilat ishin zgjedhje politike, PD do mbronte votën, do derdhej në rrugë, këto probleme që ndodhën, nuk do ndodhnin kurrë në këtë shkallë.
Por PD nuk e bëri këtë. Nuk e bëri as në vitin 2019. Tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve. Vlerësoj çdo propozim për përmirësim maksimal të punës sonë.
Por ju garantoj se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka. Ndaj dhe ftoj çdo demokrat, t’i drejtohet fibrës së tij politike, ndërgjegjes së tij politike, të mos harrojë këtë gjë”, u shpreh Berisha.











