Vuçiç bojkoton samitin e KE, vendimi pas rrëzimit të përpjekjes diplomatike kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë, nuk do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të Këshillit të Evropës që do të mbahet në Islandë më 16 dhe 17 maj. Vendimi vjen pas rrëzimit të kërkesës së Beogradit për shtimin e një fjalie në rezolutën finale për sovranitetin e Serbisë, si përpjekje për të penguar anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Pas takimit me ndërmjetësuesin e BE për dialog, Vuçiç tha se Albin Kurti kërkon konflikt.

Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Serbisë do të bojkotojnë samitin e ardhshëm të Këshillit të Evropës, që do të mbahet në Islandë më 16 dhe 17 maj.

Vendimin e bëri të ditur presidenti i Serbisë pas takimit në Beograd me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Shkak i këtij vendimi është rrëzimi i kërkesës së Serbisë për një amendament në deklaratën përfundimtare për integritetin territorial si përpjekje për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.

Vuçiç akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po kërkon konflikt.

Serbia kërkon nga Kosova të lejojë themelimin e asociacionit të komunave serbe, por qeveria e Prishtinës e cilëson draftin anti kushtetues

Serbët në veri të Kosovës kanë bojkotuar institucionet lokale dhe nuk morën pjesë në zgjedhjet e fundit, duke kërkuar më parë krijimin e asociacionit.