Kërkojnë provat në shqip, Hashim Thaçi e bashkëpunëtorët vijojnë “betejën” në Hagë

Dëshmitari i katërt në procesin kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte sekret dhe u dëgjua në seancë private.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ishin në sallë.

Në fund, avokati i Jakup Krasniqit kërkoi nga prokuroria që të gjitha dokumentet e akuzës të përkthehen në shqip.

“Ajo që kemi marrë në lidhje me këtë dëshmitar janë dy dokumente, njëri ka të bëjë me korrigjime, ndryshime me intervista, deklarata, tjetri është material i ri. Këto i janë dhënë mbrojtjes vetëm në anglisht. Dhe është një disavantazh i madh për ne, sepse zotëri Krasniqi nuk lexon në anglisht. Do të na ndihmonte shumë, sidomos kur të marrim udhëzime për këto çështje brenda kohës së kufizuar, nëse do të jenë në shqip që ai të paktën t’i lexojë. Të paktën do të thoja, njëri prej këtyre që ka të bëjë shprehimisht me korrigjime në deklaratat e mëparshme, të cilat kërkohen që të vihen në dispozicion që të mund t’i lexojë i akuzuari. Kjo është baza e kësaj kërkese që ne kemi”.

Por prokurori i specializuar tha se është e pamundur që t’i bëjmë përkthimet në kohën e përcaktuar për përgatitjen e dëshmitarit dhe kjo nuk është detyrë e akuzës.

Ndaj sugjeroi që avokatët tua lexojnë e përkthejnë dokumentet të akuzuarve.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.