E rëndë në Kosovë, 19-vjeçari vdes pasi i shkrepet arma e shërbimit të babait polic

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur gjatë së enjtes në Suharekë.
Një 19-vjeçar ka vdekur si pasojë e shkrepjes së armës e cila dyshohet se i përket babait të tij, i cili është zyrtar policor, që ishte jashtë detyrës zyrtare.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, thase rasti ka ndodhur në banesën e viktimës.
“Viktima nga ana e ekipit të urgjencës është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekut kujdestar konfirmohet vdekja e tij. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe është sekuestruar një armë zjarri dhe një gëzhojë”, tha Gashi.
Lidhur me rastin, ai tha se është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe IPK (Inspektorati Policor i Kosovës) të cilët kanë dalë në vendin e ngjarje. Ata, bashkë me zyrtarët e Sektorit Rajonal të Hetimeve të DRP-së së Prizrenit, do ta vazhdojnë hetimin e rastit të cilësuar si “Vdekje e Dyshimtë”.