Rama: Në 14 maj Kamza do të ndahet nga politika e përçarjes dhe urrejtjes
Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama shprehu sot bindjen se në 14 maj Kamza do të ndahet me urrejtjen dhe komuniteti i Kamzës do të kapërcejë një ndasi të egër, të pashpirt e të pabesë, e cila është ushqyer vetëm nga nevoja për pushtet.
Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Kamzë, Rama vlerësoi se kryebashkiaku Rakip Suli ka bërë punë të jashtëzakonshme për Kamzën, por vepra më historike e tij do të jetë në 14 maj.
“Në 14 maj do të jetë ndarja e Kamzës me urrejtjen, kapërcimi nga vetë komuniteti i Kamzës i një ndasie të egër, të pashpirt e të pabesë e cila është ushqyer vetëm nga nevoja për pushtet e një grushti njerëzish që e morën peng PD-në qysh në krye të herës”, tha Rama.
Rama theksoi se barrikadat e ngritura të ndasisë politike, politika e përçarjes dhe urrejtjes, i gjithë sulmi i vazhdueshëm propagandistik kundër PS-së dhe vetë atij personalisht, e bënin shumë të vështirë krijimin e një momenti qetësie për t’i menduar gjërat me qetësi, pa tifozllëk, pa ngjyra.
“Ky moment erdhi, sepse fati i Kamzës e deshi që ata të cilët Kamzën e mbajtën për fyti peng për gjithë ato vite, të dilnin nga rruga normale demokratike e marrëdhënies me qytetarët në një demokraci dhe të braktisnin procesin zgjedhor”, shtoi ai.
Rama theksoi se kjo ndodh kur ne drejtojmë bashkitë, sepse kemi një tjetër vizion, një tjetër koncept, një tjetër qasje për atë që është qeverisja dhe qeverisja vendore.
