Kreu i Federatës së Alpinistëve thirrje turistëve: Lëvizni në grup dhe me guida vendase

Turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë në zonët me reliev të vështirë, rrezikojnë jetën pasi zgjedhin të drejtohen nga aplikacionet dhe jo nga guidat. Kreu i Federatës së Alpinistëve bën thirrje vizitorëve të huaj dhe vendas të zgjedhin të lëvizin në grup.

Tre turistë të huaj humbën jetën në 24 orë duke eksploruar Bjeshkët e Tropojës dhe kanionet e Osumit, pa ndihmën e guidave të specializuara vendase çka ka qenë shkak edhe për ngjarje të tjera të ngjashme tragjike përgjatë viteve të shkuara.

"Ai shteg është i vështirë për ne alpinistët, jo më për njerëzit e thjeshtë që duan të eksplorojnë një vend të bukur. Fatkeqëesisht ata e marrin përmes aplikacioneve dhe nuk marrin guidat vendase."

Artur Guni, kreu i Federatës së Alpinistëve, thotë se shtigjet malore janë vështira dhe asnjëherë nuk duhet të kalohen vetëm.

"Shoh të huaj që e marrin vetëm, është e rrezikshme. Këshilla e parë që u japim atyre që kanë dëshirë të merren me malin është jo më pak se dy vetë, por e këshillueshme me guidë vendase."

Thekson rëndësinë e marrjes së informacionit për specifikat e terrenit nga banorët vendas.

"Edhe ne që jemi alpinistë, mund ta kemi bërë 20 herë shtegun në 3-4 vjet, para se të ndërmarrim një tjetër kalim ose do marrim guidën vendase ose do informohemi nga banorët nëse ka ndryshim ai shteg."

Kryetari i Federatës së Alpinistëve këshillon që eksplorimi i zonave turistike malore të bëhet në grupe dhe guidë vendas për të shmangur aksidentet e mundshme në terrene të panjohura.