50-vjetori i revoltës, Unioni i të Përndjekurve Politik: Të ndërtohet Muzeu i Spaçit dhe të tregohen krimet e bëra

Unioni i të Përndjekurve Politik ka paraqitur disa kërkesa në drejtim të qeverisë shqiptare me rastin e 50 vjetorit të revoltës antikomuniste të Spaçit.

Teksa risollën në vëmendje masakrat që janë bërë ata kërkuan të ndërtohet Muzeu i Spaçit, të jepen dëmshpërblimet që u takojnë, si edhe publikimi i emrave të atyre që kanë kryer krime në emër të sistemit komunist.

“S’kishte dritë, errësirë gjithkund. Na u lodh shpirti. Prandaj unë i bëj thirrje gjithë shqiptarëve kush ka shpirt shqiptari, kujt i dhimbset ky vend: O sot, o kurrë”, shprehet Demir Pojani.

Ish-pjesëmarrësi i revoltës së Spaçit, Demir Pojani solli në vëmendje dhe njëherë atë që konsiderohej si “ferri i kohës së komunizmit”, burgun famëkeq të Spaçit, ku të burgosurit vuajtën tortura çnjerëzore e madje shumë prej tyre kanë humbur jetën. 

Ky 21 maj shënon 50-vjetorin e revoltës antikomuniste të Spaçit e për këtë kreu i Unionit të të Përndjekurve Politik, Ndregjoni kishte disa kërkesa për politikën.

“Autoriteti i Dosjeve, institucionet e tjera të të përndjekurve politikë i kërkojmë qeverisë shqiptare që të lëvrojnë fondin të cilin ne kemi kërkuar për të rindërtuar një muze të krimit komunist”, tha përfaqësuesi i Unionit.

Kërkesa e vazhdueshme e tyre ishte dhe publikimi i krimeve dhe emrave të personave që i bënë ato gjatë atij sistemi.

“Të bëhen publike emrat dhe krimet e xhelatëve që u bënë në Spaç para 50 vitesh që ende sot lihen në poste publike, madje deri në organet kushtetuese.

I kërkojmë SPAK-ut të hetojë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit që torturuan dhe vranë të burgosurit politikë gjatë revoltës.

T’u kërkojnë falje të burgosurve politikë dhe familjarëve të tyre për pushkatimin e 4 heronjve, martirë të demokracisë, 42 të zhdukurve dhe qindra e mijëra të tjerë të vdekur dhe torturuar në atë kamp përqëndrimi dhe anë e mbanë vendoit”, thanë ata.

Kërkuan, gjithashtu, që në këtë 50-vjetor të jenë të pranishëm dhe drejtuesit e shtetit të Kosovës për të dëgjuar krimet mostruoze që janë kryer gjatë asaj periudhe.