Banka e farave shqiptare/ Ruhen mbi 5000 aksesione nga 182 specie bimore. Gixhari: Ka fara që kultivohen prej 100 vitesh
Prej vitit 1998 në Shqipëri funksionon Banka Gjenetike ku ruhen mbi 5 mijë fara bimësh. Është një institucion me rëndësi kombëtare dhe në të gjenden fara autentike që kultivohen në vendin tonë për gati një shekull.
“Ndodhemi në Institutin e Resurseve Gjenetike të bimëve, një institucion që e njohim pak, por që ka rëndësi të veçantë kombëtare”.
Këtu ruhet burimi i jetës. Janë mbi 5 mijë aksesione nga 182 specie bimore që gjenden në këtë Bankë Gjenetike.
Institucioni u krijua në vitin 1998 dhe në përbërje ka dy laboratorë, atë të pranimit dhe ruajtjes së farave.
Belul Gixhari: “Pasi sillen në lkëtë laborator, kontrollohen nga cilësia dhe pastërtia për sëmundjet. Pasi plotësojnë kushtet e para të përpunimit me dorë, vendosen në atë pajisjen tharëse atje, që është mjaft e mirë dhe që zbret lagështinë që mund të kenë farërat”
Farat pasi thahen dhe testohen për aftësinë mbirëse kalojnë në laboratorin e ruajtjes.
Temperatura në këta frigoriferë vertikalë duhet të jetë -20 gradë.
Drejtori Belul Gixhari thotë se në këto kushte farat mund të ruhen deri në 1 shekull.
Secila ka një kod unik.
Farat më të vjetra shqiptare janë kryesisht ato të grurit, misrit e fasules, që kanë mbi 100 vite që kultivohen në Shqipëri.
Jo vetëm ruhen por edhe mund të përdoren nga fermerët.
Mendohet se të gjitha janë autoktone por për ta vërtetuar do të duhej analiza e ADN-së që në këtë institut nuk mund të kryhet.
Përveçse në këtë Institucion farat janë dërguar për ruajtje edhe në kasafortën botërore që gjendet në Norvegji.
Profesor Gixhari kërkon që vëmendja e qeverisë ndaj Bankës Gjenetike që në vitin 2001 u shpall institucion i mirëfilltë shkencor me rëndësi kombëtare të jetë më e madhe.
Po ashtu Gixhari bën thirrje edhe për krijimin e Instituteve Gjenetike për Kafshët.




