Durrësi, sytë te turizmi, kreu i Dhomës së Tregtisë: Presim 1.2 milionë turistë! Sfidat, mungesa e stafit dhe infrastruktura
Në prag të sezonit turistik njohësit e sektorit në Durrës janë besimplotë se numri i vizitorëve do të kalojë shifrën 1 milionë këtë verë! Ata flasin për sfidat e këtij sezoni duke përmendur mungesën e stafit, por edhe infrastrukturën
Dhoma e Tregtisë në Durrës përllogarit se sezonin e kaluar në qytetin bregdetar kaluan pushimet 1 milionë persona nga e gjithë bota.
Ky vit pritet që të jetë akoma më i mirë!
Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë: “Pritet një prurje rekord këtë vit. Nga të gjitha rezervimet që janë kryer nga agjencitë, mendohet që nëse vjet ka pasur rreth 1 milionë turistë Durrësi, këtë vit mendohet që të jetë rreth 1.2 milionë”.
Por në prag të sezonit turistik, sfidat mbeten të njëjta!
Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë: “Ka mungesa të fuqisë punëtore e cila dihet tashmë”.
Bizneset kanë hedhur sytë në rajon, por edhe në vendet aziatike për punonjës!
Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë: “Bizneset kanë gjetur një zgjidhje për momentin, kanë marrë të punësuar qoftë nga jashtë qytetit të Durrësit, nga qytetet që nuk kanë sezon turistik, qoftë nga Kosova, qoftë nga Maqedonia e Veriut, apo edhe vendet e tjera si ato aziatike: Filipine apo India”.
Kantieri i ndërtimit në plazhin e Durrësit pritet që të ndikojë negativisht në këtë sezon.
Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë: “Shëtitorja e Durrësit që po bëhet në zonën e plazhit akoma nuk ka përfunduar dhe do të ndikojë negativisht në këtë sezon turistik. Pjesa e dytë është trafiku, që shpresojmë shumë që këtë vit të ketë një lehtësim, pasi zgjidhjen e shikoj të vështirë”.
Durrësi është një ndër qytetet bregetare në vend që pret më së shumti turistë edhe për shkak të vijës së gjatë bregdetare që ka!



