Studentët në kërkim të punës, Universiteti Bujqësor zhvillon Panairin e Punës, marrin pjesë 50 kompani

Mbi 50 kompani morën pjesë në Panairin e Punës që u zhvillua të enjten në Universitetin Bujqësor. Përfaqësues të tyre thanë se nevojat në sektorin e bujqësisë janë të mëdha ndërsa të rinjtë shprehën pakënaqësi për kushtet e pagat.

Flavio, në prag diplomimi për Arkitekturë Peizazhi është në kërkim të një vendi pune.

"Më intereson më shumë pjesa e punësimit pasi dua të promovoj Arkitekturën e Peizazhit që të ketë zhvillim, të jemi dhe ne të pranishëm në këtë fushë."

Është shpresëpak, megjithatë vizitoi çdo stendë të Panairit të Punës që u zhvillua të enjten në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

"Është pak e vështirë se këtu bujqësia po zhvlerësohet, nuk po i jepet interesi i dikurshëm."

Mbi 50 kompani prezantuan ofertën e tyre, por studentët shprehën pakënaqësi për pagat dhe kushtet.

"Është një rrogë shumë e ulët që nuk ja vlen."

Të tjerë, kërkojnë më pak.Studentët e viteve të para interesohen më tepër për praktikë.

"Po kërkoj më shumë për praktikë që të jem, e gatshme të punoj direkt sapo të mbaroj shkollën."

Rolandi që përfaqëson një kompani fidanishtesh, thotë se sektori i bujqësisë ka nevoja të mëdha veçanërisht për agronom.

"Oferta, kërkesa ka por e kanë shumë të vështirë tqë ofrohen sepse nuk duan të punojnë në bujqësi."

Vitet e fundit po hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve, pasi të rinjtë refuzojnë të punojnë në këtë sektor.

Rektori, Fatbardh Sallaku, inkurajon të rinjtë të zgjedhin Universitetin Bujqësor të Tiranës pasi punën në përfundim të studimeve e kanë të garantuar.

"Gjimnazistët të kthejnë sytë ndaj këtyre programeve sepse përveç mundësisë së punësimit, qeveria shqiptare ofron për të gjithë këta gjimnazistë një pagesë deri në 400 mijë lekë të vjetra në muaj."

Panairi i Punës është kthyer në një traditë në UBT, ku çdo vit tentohen të krijohen ura bashkëpunimi mes bizneseve e Universitetit.