Lule për libra, nxënësit në Lezhë shesin lule në rrugë, për të blerë libra për bibliotekë

Nxënësit e Shkollës Besëlidhja në Lezhë vijuan traditën e shitjes së luleve për të blerë libra për bibliotekën e shkollës. Ata rrisin lule në shtëpitë e tyre gjatë gjithë vitit, me qëllim që në muajin maj ti shesin ato dhe me paratë e mbledhura të pasurojnë bibliotekën e shkollës së tyre.

Kanë shitur lulet e mbjella në kopshtin e shtëpisë për të blerë libra për bibliotekën e shkollës.

Protagonistë janë nxënësit e shkollës  9-vjeçare "Besëlidhja" në Lezhë.

Të ndihmuar nga prindërit, ata e vijuan traditën edhe këtë vit, duke shitur lulet, dhe me paratë e mbledhura kanë blerë libra.

“Përgatitja për këtë vit ishte edhe më veçantë se kemi pasur edhe fëmijët e vegjël. Shpresojmë që të shesim më shumë lule sot.”

Nisma që organizohet prej 11 vitesh nga nxënësit e shkollës “Besëlidhja”, ku lulet janë mbledhur prej tyre dhe janë kujdesur për to gjatë gjithë kësaj periudhe për të ardhur ditën e sotme ku nxirren për shitje.

Nga aktivitetet e viteve të shkuara janë blerë më shumë se 200 tituj librash për fëmijë dhe tashmë është zgjeruar në krejt shkollën pasi fillimisht ka qenë nxitje e një klasë të vetme.

Kjo iniciativë ka të bëjë me edukimin ekonomik, mjedisor, ambientale dhe nxitje për të lexuar.