SHBA kërkon mbrojtjen e qytetarëve nga inteligjenca artificiale. Shefat e teknologjisë thirren në Shtëpinë e Bardhë

Kërcënimet që vijnë nga zhvillimi i inteligjencës artificiale ka shqetësuar Shtëpinë e Bardhë! Presidenti i SHBA, thirri në një takim shefat e gjigandëve të botëror të Teknologjisë, të cilëve u kërkoi të mbrojnë publikun nga rreziqet!

Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës kërkon mbrojtjen e publikut nga inteligjenca artificiale.

Në shtëpin e Bardhë është zhvilluar një takim me shefat e Google, Microsoft dhe OpenAi, të cilëve u është kërkuar si detyrë morale që të mbrojnë shoqërinë.

Drejtuesve të teknologjisë, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, u është thënë se u takon firmave “të garantojnë sigurinë e produkteve të tyre”

Ata, po ashtu, janë paralajmëruar se administrata e presidentit Joe Biden është e hapur ndaj rregulloreve dhe legjislacionit të ri për të mbuluar inteligjencën artificiale.

Sam Altmann, shefi ekzekutiv i OpenAi u ka thënë gazetarëve se, sa i përket rregullores, udhëheqësit e teknologjisë “kanë ndarë të njëjtin mendim për atë që duhet të ndodhë”. Altmann nuk është ndalur në detaje të mëtejshme.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka thënë pas takimit se teknologjia e re mund të përbëjë rrezik për sigurinë, privatësinë dhe të drejtat civile, ndonëse, sipas saj, ka potencial edhe për ta përmirësuar jetën. Sektori privat ka “përgjegjësi etike, morale dhe ligjore për ta garantuar sigurinë e produkteve të tij”, tha ajo.

Shtëpia e Bardhë ka ndarë 140 milionë dollarë nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës për të krijuar shtatë institute të reja kërkimore të inteligjencës artificiale.

Në fillim të kësaj jave, personi që është konsideruar “baba” i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, ka lënë punën e tij në Google, duke thënë se është penduar për punën që ka bërë.

Ai i ka thënë BBC-së se disa nga rreziqet e produkteve të inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”.