Hapet Fakulteti i shkencave Mjekësore, studentët e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë praktika profesionale në Gjermani
Studentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, do të kryejnë praktikat profesionale në Gjermani.
Falë marrëveshjes të nënshkruar sot, me Akademinë e Trajnimit dhe Edukimit “Auxila”, Universiteti Mesdhetar do i japë mundësinë të gjithë studentëve që do të pranohen në degën e Infermierisë, Fizoterapisë dhe Teknik laboratori, të kryejnë përveç praktikës edhe kursin e gjuhës gjermane.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë , Adrian Civici dhe Drejtori i Akademisë “Auxila”, Jurgen Debus.

“Është një mundësi e shkëlqyer për ti dhënë studentëve tanë një formim europian duke i aftësuar edhe më shumë për tregun ndërkombëtar të punës. Hapja e fakultetit të Shkencave Mjekësore është një sfidë shumë e madhe për Universitetin Mesdhetar , jo vetëm për rëndësinë që ka kjo fushë që lidhet drejtpërdrejt me kujdesin shëndetësor, por edhe për kërkesën në rritje të të rinjve që duan te ndjekin studimet në këto fusha”, u shpreh rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici.
Drejtori i Akademisë së trajnimit dhe Edukimit “Auxila”, gjithashtu e cilësoi këtë bashkëpunim si mjaft të rëndësishëm.
“Në këto praktika ne i mësojmë studentët shqiptarë me gjithë filozofinë e jetesës dhe punës në Gjermani në këto fusha mjaft të rëndësishme ”, u shpreh Debus.
Një tjetër pikë e marrëveshjes së firmosur është edhe bashkëpunimi në projekte të përbashkëta të financuara nga Bashkimi Europian si dhe organizimi i konferencave të përbashkëta.
Gjithashtu akademia gjermane do të mundësojë për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, materialet e nevojshme mjekësore të nevojshme për studentët.
