"Po më detyroni të lë fëmijët jetimë si vëllai", zbardhen debatet në gjyqin e Santiago Malkos. Motra kundër hetimeve private
"Po më detyroni të lë jetim edhe fëmijët e mi, siç i ka lënë vëllai im, nuk mund të bëhen hetime private".
Ky ishte reagimi i bërë në sallën e gjyqit nga motra e ish-policit Santiago Malko, i cili u vra në korrik të vitit 2021 në rrugën "Xhanfize Keko".
Përballja u zhvillua në procesin gjyqësor ndaj vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka, ku avokatët kërkuan pavlefshmërinë e akt-ekspertizës të bërë nga Prokuroria e Posaçme për makinën që sipas akuzës është përdorur për vrasjen.
Në pamjet filmike, të paraqitura si provë, thuhet se shfaqen targat e saj dhe personat që ishin brenda.
Për ta kundështuar mbrojtja ka depozituar një ekspertizë private, përmes të cilës pretendojnë, se materialet e përcaktuara nga hetimet e SPAK, nuk çojnë në identifikimin e llojit të mjetit, të targës apo të personave që ndodheshin brenda tij.
Por një provë e tillë nuk e bindi prokurorin Behar Dibra, i cili i kërkoi togave të zeza që pretendimi të mos merret parasysh.
Në fund të seancës, gjykata rrëzoi avokatët duke lejuar vijimin e procesit.
Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë, pasi ka një masë sigurie "arrest në burg" nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ende nuk ka një dritë jeshile për ekstradimin e tij.
Për vrasjen e Malkos, i njohur si mik i Ervis Martinajt, SPAK akuzon klanin Duka me përfshirjen e Leonard Dukës, Erlis Dukës, Oltian Logës, Aleksandër Maxhakut, Fatmir Hysenit (Musai), Dritan Agajt.
Ata hetohen në mungesë dhe akuzohen për "Grup i Strukturuar Kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal", "Vrasja me paramendim", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
