Shtohen rastet me astmë, çdo vit prevalenca rritet me 5%. Mjekët: Shkak faktorët mjedisorë
Rastet me astmë janë në rritje në Shqipëri. Mjekët thonë se shkak kryesor është ndotja e mjedisit teksa bëjnë thirrje që simptomat të mos neglizhohen.
Astma, një sëmundje kronike e rrugëve të frymëmarrjes po përhapet gjerësisht edhe në Shqipëri.
Mjekët thonë se rastet janë shtuar ndërsa sipas të dhënave të Instituitit të Shëndetit Publik prevalenca e kësaj sëmundjeje po rritet me 5% çdo vit.
"Është një sëmundje, e cila është gjithmonë në rritje, prek të gjitha grupmoshat."
Mirela Hitaj, mjeke alergologe, tregon se faktorët mjedisorë janë ndër kryesorët që ndikojnë në rritjen e numrit të të prekurve.
"Astmat janë sëmundje kronike që kanë një faktor gjenetik që bën që të shprehet dhe më tepër. Përveç faktorëve gjenetikë te shtimi i sëmundshmërisë ndikon shumë edhe ndotja e ambjentit. Ndikon ose në fillimin e një astme ose në shpërthimin e një ataku të astmës. Gjithashtu ndikon edhe shtimi i polinozave të pranverës".
Kujdes duhet treguar ndaj simptomave.
"Zakonisht astma shoqërohet me kollë që është shenja kryesore, marrja e frymës, shtrëngimi në gjoks dhe gjendja e diskonfortit."
Nëse nuk diagnostikohet e trajtohet në kohë, pasojat e kësaj sëmundjeje mund të jenë të rënda, deri në humbjen e jetës.
"Sa më shpejt të diagnostikohet një sëmundje aq më e lehtë është për tu mjekuar dhe nuk kalon në stadet e rënda të cilat mund të çojnë në forma deri në vdekje nga një atak astmatik i cili nuk mjekohet ose është i neglizhuar komplet."
Referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në mbarë botën vuajnë nga astma mbi 260 milionë persona.
