Vrasja e Santiago Malkos, GJKKO dënon me 28 vite burg Ilir Selmanin dhe 7 vite Elvis Gacajn
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 28 vite burg Ilir Selmanin, tre vite më shumë nga pretenca e dhënë nga SPAK, dhe 7 vite burg Elvis Gacajn për vrasjen e ish-efektivit të Policisë Santiago Malko më 27 gusht të 2019-ës.
Selmani akuzohet nga SPAK si organizator i atentatit, ndërsa Gacaj si bashkëpunëtor.
Për këtë ngjarje është dënuar me 25 vite burg, Bledi Teta, i cili ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Malkos dhe ka njoftuar grupin kundërshtar në momentin kur ky i fundit është gjetur i pambrojtur.
Elvis Gacaj dhe Ilir Selmani janë pjese e klanit të vëllezërve Erlis dhe Leonard Duka, kundërshtarë të Ervis Martinaj, të cilët urdhëruan dhe financuan vrasjen e Santiago Malkos.
Në seancën gjyqësore të mbajtur sot ndaj vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka, avokatët kërkuan pavlefshmërinë e akt-ekspertizës të bërë nga Prokuroria e Posaçme për makinën që sipas akuzës është përdorur për vrasjen.
Në pamjet filmike, të paraqitura si provë, thuhet se shfaqen targat e saj dhe personat që ishin brenda.
Për ta kundështuar mbrojtja ka depozituar një ekspertizë private, përmes të cilës pretendojnë, se materialet e përcaktuara nga hetimet e SPAK, nuk çojnë në identifikimin e llojit të mjetit, të targës apo të personave që ndodheshin brenda tij.
Por një provë e tillë nuk e bindi prokurorin Behar Dibra, i cili i kërkoi togave të zeza që pretendimi të mos merret parasysh.
Në fund të seancës, gjykata rrëzoi avokatët duke lejuar vijimin e procesit.
Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë, pasi ka një masë sigurie "arrest në burg" nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ende nuk ka një dritë jeshile për ekstradimin e tij.
Për vrasjen e Malkos, i njohur si mik i Ervis Martinajt, SPAK akuzon klanin Duka me përfshirjen e Leonard Dukës, Erlis Dukës, Oltian Logës, Aleksandër Maxhakut, Fatmir Hysenit (Musai), Dritan Agajt.
Ata hetohen në mungesë dhe akuzohen për "Grup i Strukturuar Kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal", "Vrasja me paramendim", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".

