Rojet bregdetare të Tunizisë nxjerrin nga deti 41 trupa, kishin qënë në ujë për disa ditë

Rojet bregdetare kanë nxjerrë 41 trupa të të mbyturve në det duke e çuar numrin e viktimave vetëm në brigjet e vendit në 210 për vetëm 10 ditë.

Trupat ishin në një gjendje të dekompozuar, duke sugjeruar se ata kishin qenë në ujë për disa ditë, tha Houssem Eddine Jebabli për agjencinë e lajmeve Reuters. Madje ai shton se situata është e paprecedentë në histori.

Numri i varkave, gomoneve dhe mjeteve të tjera që transportojnë  azilkërkues të nisur nga Afrika Sub-Sahariane, Siria dhe Sudani  drejt Italisë kanë njohur një rritje tepër të lartë në dy muajt e fundit.

Kaq shumë refugjatë që rrezikojnë kalimin e rrezikshëm detar nga Tunizia në Evropë janë mbytur sa morgjet dhe spitalet në qytetin e Sfax-it janë mbushur plot, thanë zyrtarët të premten.

“Të martën, ne kishim më shumë se 200 trupa, shumë përtej kapacitetit të spitalit, gjë që krijon një problem shëndetësor”, citohet të ketë thënë Faouzi Masmoudi, zyrtar i drejtësisë në qytetin port ku ndodhet morgu qendror për një zonë prej rreth një milion banorësh.

Tunizia, vija bregdetare e së cilës është më pak se 150 km nga ishulli italian i Lampedusa-s, ka qenë prej kohësh një “shteg” i favorizuar për refugjatët. Por edhe vetë autoritetet e përtej Adriatikut kanë ngritur alarmin duke kërkuar që fenomeni të luftohet që në nisje, por pa dhënë ende nuk rezultat.