Rusia bombardon muzeun ukrainas, 1 i vdekur, Zelenski akuzon Moskën: Duan të zhdukin historinë tonë

Forcat ruse kanë bombarduar një muze në verilindje të vendit ndërsa presidenti ukrainas ka akuzuar se Moska jo vetëm po vret njerëz të pafajshëm por po synon edhe zhdukjen e historisë së vendit të tij. Në një koment për luftën në Ukrainë, aleati i Putinit, Dimitri Medvedev ka thënë se rreziku i përplasjes bërthamore është më afër se kurrë dhe se bota kërcënohet nga një luftë e re.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po tenton të fshijë historinë dhe kulturën e Ukrainës.

Deklaratat e tij u bënë pas një sulmi ajror të forcave ruse në një muze, ku u vra një punëtor dhe u plagosën dhjetë të tjerë.

Zelensky tha se objektiv ishte muzeu i historisë në Kupiansk, qytet që gjendet pranë vijës së frontit në verilindje të Ukrainës.

Sipas tij, Moska se “po bën gjithçka për të shkatërruar tërësisht Ukrainën, për të shkatërruar historinëë, kulturën dhe njerëzit e saj”.

Presidenti postoi një video ku forcat ushtarake kërkojnë njerëz nën rrënoja duke komentuar se Rusia “po i vret ukrainasit me metoda absolutisht barbare”.

Ndërkohë ish-presidenti rus Dimitri Medvedev, aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, ka folur për përplasjen ushtarake në Ukrainë duke thënë se bota është në prag të një lufte të re botërore, duke iu referuar faktit se rreziku nga një konfrontim bërthamor është duke u rritur.

“Bota ka të ngjarë që është në prag të një lufte të re botërore”, tha Medvedev gjatë një konference në Moskë më 25 prill.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, shtoi se një luftë e tillë nuk është e pashmangshme, por rreziqet nga konfrontimi bërthamor janë duke u rritur dhe janë më serioze sesa shqetësimet lidhur me ndryshimet klimatike.

Deklaratat e Medvedev duken në të njëjtën linjë me ato të Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka thënë se bota po përballet me dekadën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai e konsideron luftën në Ukrainë si një betejë ekzistenciale dhe ka deklaruar se Moska do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për ta mbrojtur veten ndaj çdo agresori.