PE: KE të adresojë ligjin e ri hungarez për sinjalizuesit, që kufizon të drejtat e LGBT-së

Shumica e grupeve politike të Parlamentit Evropian i bënë thirrje sot Komisionit Evropian të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të adresuar ligjin e ri hungarez që shihet si kufizim i të drejtave të LGBT-së.

Në një letër të përbashkët, drejtuesit e pesë grupeve parlamentare i kërkuan presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen t’i përgjigjet legjislacionit që parashikon, ndër të tjera, qytetarët të raportojnë në mënyrë anonime çiftet e të njëjtit seks që rritin fëmijë.

I përfshirë në rregulloret e rishikuara për mbrojtjen e sinjalizuesve, ligji u bllokua të premten e kaluar nga presidenti hungarez Katalin Novák, një i besuar i kryeministrit populist të krahut të djathtë, Viktor Orbán.

Legjislacioni përmban një seksion që lejon njerëzit të denoncojnë bashkëqytetarët për arsye ideologjike, duke përfshirë vënien në dyshim të roleve tradicionale gjinore të parashikuara në kushtetutë.

Budapesti ka qenë i bllokuar prej vitesh në një mosmarrëveshje shumëplanëshe me institucione të ndryshme të Bashkimit Evropian për shkeljet e traktateve evropiane, mes tyre edhe shqetësimet e ligjit të së drejtës.

Në dhjetor, vendet anëtare të BE-së vendosën të ngrijnë rreth 6.3 miliardë euro (7 miliardë dollarë) të fondeve buxhetore të BE-së të destinuara për Hungarinë, për shkak të shqetësimeve se vendi nuk po i përmbahet ligjit të së drejtës.

Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, grupi socialist dhe demokrat i qendrës së majtë, partia e Gjelbër, grupi liberal Renew dhe grupi i Majtë kritikuan gjithashtu një projektligj hungarez që rregullon arsimin publik.

Në letër thuhet se projektligji do të kufizonte në mënyrë drastike të drejtat themelore të mësuesve, duke cituar një raport nga Komiteti i Helsinkit të Hungarisë, një organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut.

Sipas komitetit, ligji i propozuar synon të dobësojë më tej autonominë profesionale të mësuesve.

Mësuesit hungarezë kanë protestuar ndaj sistemit arsimor të vendit për pagat dhe kushtet, si dhe kufizimet në shprehjen e kritikave, brenda dhe jashtë vendit të punës, ndaj drejtimit ideologjik të qeverisë.