VIDEO/ Dragoi në Disneyland shpërthen në flakë gjatë shfaqjes, të pranishmit largohen me urgjencë

Një trazirë u shkaktua mbrëmjen e së shtunës në Disneyland në Kaliforni kur një strukturë dragoi, rreth 14 metra e lartë, mori flakë gjatë një shfaqjeje të njohur.

Zjarri ka rënë gjatë shfaqjes së titulluar "Fantasmic!" , ndërsa videot e publikuara në rrjetet sociale tregonin se koka e dragoit “Maleficent” ishte përfshirë nga flakët teksa shfaqja ishte në zhvillim e sipër.

Një re e zezë tymi u pa duke mbuluar të gjithë parkun tematik prej 100 hektarësh.

Shfaqja natyrisht u ndërpre papritur pasi të ftuarit dhe anëtarët e stafit të Disneyland u nxorrën nga skena ndërsa personeli i urgjencës punoi për të shuar zjarrin.

“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, kjo shfaqje e 'Fantasmic!' nuk mund të vazhdojë”, thuhej në një njoftim për vizitorët e parkut. “Kërkojmë falje për çdo shqetësim”.

Departamenti i Zjarrfikësve në Anaheim iu përgjigj thirrjeve dhe nuk raportoi për të lënduar.