Ukraina kërkon ndihma ushtarake, zv. ministri i Jashtëm: Mbështetja duhet të jetë 10 herë më e madhe
Teksa ka kaluar më shumë se një vit që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, nevoja për ndihma ushtarake vijon.
Zëvendës ministri i jashtëm i qeverisë së Kievit, falenderoi aleatët e huaj për ndihmën e deritanishme, por theksoi nevojën për më shumë ndihma në mënyrë që të mposhtin agresorin.
Andriy Melnyk u bëri thirrje partnerëve që të "kapërcejnë të gjitha linjat e kuqe artificiale" dhe të dërgojnë më shumë municione, pasi sipas tij rreziku vijon të jetë i madh dhe lufta duket se nuk përfundon shpejt.
"Aleatët tanë duhet të kuptojnë shkallën e kësaj lufte," tha ai në një bisedë me mediat ukrainase të premten. "Mbështetja duhet të jetë 10 herë më e madhe tani."
Situata në shtetin lindor të Evropës është ende nën tensionit e agresorëve rusë. Në qytetet Avdiivka dhe Marinka trupat e Kievit po pengojnë sulmet e vazhdueshme ruse, ndërsa forcat e kundërshtarëve kanë "sulmuar" pozicionet ukrainase 24 herë në zonë gjatë ditës së fundit edhe pse jo të suksesshme, sipas zyrtarëve ukrainas.
Ndërkohë, në qytetin lindor të Bakhmut, forcat e rregullta ruse dhe mercenarët e wagner po nisin gjithashtu sulme të pandërprera, sipas komandantëve ukrainas në vijën e frontit.
Edhe në Rusi situata është e tensionuar për shkak të sanksioneve të shumta të vendosura nga perëndimi. Ministria e jashtme ruse tha të shtunën se ka vendosur të dëbojë diplomatët gjermanë, në atë që e quajti një masë e vogël, pasi ministria pretendoi se autoritetet gjermane vendosën të dëbojnë më tej punonjësit diplomatikë rusë në Gjermani.
