Zgjedhjet e reja në Greqi, Tsipras premton rikthim në pushtet, Mitsotakis flet për arritjet e qeverisë

Paraqitja e kërkesës në presidencë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, në Greqi ka nisur fushata elektorale. Kryeministri Mitsotakis zgjodhi vendlindjen e tij në Hania të Kretës për të nisur takimet ku ka kërkuar votën për një mandate të dytë

“Asnjë qeveri që nga vendosja e demokracisë nuk është përballur me kaq shumë pengesa. E megjithatë, ne i kapërcyem të gjitha. Kufijtë tanë mbetën të pathyeshëm. Dhe me një program gjigant që kaloi 50 miliardë euro, u mbështetën familjet, bizneset dhe vendet e punës.”

Rival në këto votime duket se do të jetë Aleksis Tsipras i cili ka paralajmëruar se do të nisë takimet me një miting në të cilin do të kërkojë mbështetje për rikthimin e Syrizas në pushtet. Por nga opozita nuk kanë munguar as akuzat për presione.

“Ky regjim do të bëjë gjithçka për t’u kapur pas kolltukëve të pushtetit, për të parandaluar ndryshimin politik që po vjen. Nuk do t’ia dalë, por duhet ta dini: Provokimet, shantazhet, ryshfetet, lajmet e rreme, sondazhet e rreme edhe dezertimet do të përdoren në ditët që vijnë nga regjimi i Mitsotakiss.

Janë rreth 9.9 milionë zgjedhës që do tu kërkohet të votojnë në 21 maj. Prej tyre janë 430 mijë që votojnë për herë të parë.

Në këtë proces do të realizohet për herë të parë votimi nga shtetet ku 22 mijë grekë kanë emigruar.