Sot zgjedhjet në veri të Kosovës, lokalet mbahen në katër komunat me shumicë serbe

Në veri të Mitrovicës ka nisur procesi i votimit, duke u hapur në kohë të gjitha qendrat. Janë 18 mijë e 118 zgjedhës që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre për zgjedhjen e kryetarëve.

Situata në nisje të procesit ka nisur e qetë ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme realizohen pas dorëheqjes së përfaqësuesve të Serbisë, e bërë gjatë tensioneve të nëntorit të shkuar për vendosjen e konvertimit të targave duke vendosur simbolet e Kosovës.

Por këtë të dielë në fletën e votimit nuk do të jenë kandidatët e partive serbe. Në katër komunat vetëm rezulton të ketë hyrë në garë vetëm një përfaqësuese e këtij komuniteti, por duke konkurruar si e pavarur. Janë rreth 45 mijë persona që kanë të drejtën e votimit në 19 qendra dhe 34 vend votime.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një mesazhi u bëri thirrje serbëve në veriun e Kosovës që të marrin pjesë në proces pavarësisht presioneve nga Beogradi.

Edhe drejtuesit e lartë të BE kanë shprehur zhgënjimin për refuzimin e listës serbe për tu përfshirë në votime. Ndërsa edhe nga SHBA është deklaruar se rezultati do të njihet pavarësisht qëndrimeve të këtyre partive

Zgjedhjet u caktuan fillimisht për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar por ato u shtynë me kërkesën e diplomatëve perëndimorë të cilët u përfshinë në një përpjekje për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër.