"Serbët e veriut po kërcënohen", Vjosa Osmani apelon qytetarët të marrin pjesë në votime

Serbët e veriut po kërcënohen që të  mos marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen nesër për kryetarët e katër komunave të zonës. Kështu është shprehur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë thirrje për pjesëmarrje massive në votime, si një mesazh i fortë për qëndrimet e gabuara të Beogradit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit.

Ajo tha se pavarësisht se disa qytetarë të veriut kanë qenë "objekt i kërcënimeve dhe frikësimeve", pjesëmarrja në zgjedhje është në të mirë të banorëve.

 “E kuptoj që shumë prej jush keni qenë object i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t'ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar. Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe".

Osmani shtoi se me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët do të dërgojnë një “mesazh të fortë” për ata që tha se po “frikësojnë dhe shtypin” popullatën në veri “se nuk do të mund t'ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”.

Më 23 prill, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen zgjedhjet për kryetarët e rinj të komunave.

Në Zveçan dhe Leposaviq do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

Në këto zgjedhje garojnë 10 kandidatë për kryetarë të komunave nga të cilët vetëm njëri është nga radhët e komunitetit serb.

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.

Kryetarët e mëparshëm të komunave, dhanë dorëhqejen më 5 nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS - Republika e Kosovës.