Nesër zgjedhjet në veri të Kosovës/ Procesi në komunat me shumicë serbe, test për Prishtinën e Beogradin
Si shumë herë përgjatë viteve të fundit në Kosovën e Lirë, të dielën vëmendja do të jetë sërish në veriun e vendit.
Mes tensionesh e bojkotit të paralajmëruar dhe mesazheve nga Beogradi, institucionet e Kosovës kanë vendosur të mbajnë procesin e votimit për të zgjedhur kryetarët dhe këshillat e 4 komunave me shumicë serbe.
Vetëm 6 qendra votimi do të jenë në godina, ndërsa 13 të tjera në kontejnerë, dhe jo në shkolla siç ka ndodhur në proceset e mëparshme.
Nga Beogradi nuk ndalen thirrjet për bojkotin të qetë dhe përbuzje të zgjedhjeve, sikurse akuzat politike dhe nxitëse të tensioneve.
Presidenti Aleksandër Vuçiç këtë të shtunë e cilësoi pushtuese administratën që do të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në komunat me shumicë serbe.
Nga 10 kandidatë për kryetarë të komunave vetëm një është nga radhët e komunitetit serb.
Lista Serbe, Partia e mbështetur nga Beogradi nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ashtu si krerët e shtetit serb ka bërë thirrje për bojkot.
I fundit që iu bind urdhërit ishte partia Aleksandër Jabllanoviç, që tërhoqi edhe komisionerët.
Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok do të mbahen për të zëvendësuar kryetarët e Listës Serbe që braktisën institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
