Kosova refuzon kërkesën e SHBA-së, Konjufca: Nuk e kemi detyrim Asociacionin pa njohjen nga Serbia
Qeveria e Albin Kurtit po shkon drejt një përplasje të re me SHBA, pas kërkesës së Uashingtonit që para takimit me Aleksandër Vuçiç të propozojë një formulë për krijimin e Asociacionit. Kryetari i Parlamentit të Kosovës vuri si kusht njohjen de facto nga Serbia për këtë hap.
“Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto [nga Serbia]”.
Ky ishte reagimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kur u pyet për kërkesën e SHBA përmes të dërguarit special, Gabriel Escobar, që deri me 2 maj të propozojë formulën e krijimit të bashkësisë së komunave serbe, e njohur si Asociacioni.
Theksoi se nuk përjashtohet mundësia që edhe propozimi i ri që do të bëjë grupi menaxhues, të mos pranohet nga Kosova, por situata tha se do të sqarohet Kur Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç të ulen ballë për ballë.
Në prag të takimit të 2 majit në mes të Kurtit dhe Vuçiç, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u kujtoi palëve detyrimet nga marrëveshjet.
SHBA ka paralajmëruar se do të njohë zgjedhjet në veri të Kosovës pavarësish bojkotit të listës serbe, ndërsa u bëri thirrje serbëve të kthehen në institucione.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.
Qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e Asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.
