Berisha nga Roskoveci: Ne jemi parti e taksave të ulëta, baza fiskale ndaj biznese do të pësojë rënie
Nga Roskoveci ku prezantoi kandidatin e “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Erdit Hazizajn, Sali Berisha tha se ai erdhi nga vota e lirë e demokratëve.
Ai shtoi se i garanton se Erdit Hazizaj, me përkushtim të madh, me ndershmëri, aftësi do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar jetën tuaj, për të përmirësuar kushtet e jetës tuaj.
Berisha: Shpreh kënaqësinë e madhe që kam, të paraqes para jush kandidatin për kryetar të ardhshëm të Bashkisë së Roskovecit, Erdit Hazizajn, një nga bijtë tuaj më të mirë, më të aftë, më të ndershëm, kandidat i cili së bashku me 60 kandidatët e tjerë të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në mbarë vendin nuk janë më kandidatë të kryetarit të partisë, të kryesisë së partisë, por janë kandidatë të votës tuaj, të besimit tuaj, janë kandidatë të lirisë dhe kjo përbën një risi të një rëndësie të jashtëzakonshme me të cilën ne lamë mbrapa dhe shkëputemi nga një praktikë përfaqësimi dhe vendosim standardet më moderne të përfaqësimit të qytetarëve.
Vendosim dinjitetin e tyre, vullnetin e tyre në piedestalin që meriton. Unë ju garantoj ju se Erdit Hazizaj, me përkushtim të madh, me ndershmëri, aftësi do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar jetën tuaj, për të përmirësuar kushtet e jetës tuaj. Do të përdorë me transparencë të plotë para secilit prej jush, çdo qindarkë të taksave tuaja. Do të bëjë gjithçka në përputhje me programin e partisë që i përket, për suksesin e femrave dhe të biznesit në këtë bashki. Ne jemi parti e taksave të ulëta, ndaj dhe me fitoren e tij, barra fiskale për të gjitha bizneset në këtë zonë, do të pësojë rënie shumë të madhe.
