Tmerr gjatë fluturimit/ Turbulencat e forta derdhin ushqimin në dysheme, pasagjerët frikësohen
Ky është momenti dramatik kur pasagjerët bërtisnin të tmerruar ndërsa turbulencat e forta bënë kërdinë në një fluturim.
Ushqimi, pijet dhe gjërat e njerëzve u lanë të shpërndara nëpër dysheme dhe madje edhe në tavan gjatë udhëtimit nga Angola në Portugali.
Influencuesja e udhëtimeve, Diana Assis, nga Brazili, ishte në bord dhe ndau një video dramatike të saj teksa avioni u trondit në mënyrë të pakontrolluar.
Piloti kishte paralajmëruar se ata do të kishin gjasa të përjetonin turbulenca të rënda por pasagjerët mbetën të habitur nga niveli i lëkundjeve drastike.
Diana tregoi se si mbeti e tmerruar në atë që ajo tha se ishte fluturimi i saj i parë ndërkombëtar.
Pamjet e tregojnë atë në fillim duke e trajtuar turbulencën si një shaka dhe duke qeshur ndërsa avioni fillon të dridhet.
Por e qeshura ndalet shpejt kur një goditje e fortë derdh përmbajtjen e gotës së saj të verës, duke u spërkatur mbi tavan ndërsa njerëzit bërtisnin të tmerruar.
Ajo tha se turbulenca kishte goditur dy orë pas ngritjes së asaj që supozohej të ishte një fluturim tetë-orësh dhe pikërisht kur po shërbehej dreka - duke lënë ushqim të shpërndarë në të gjithë aeroplanin.
Diana kishte hipur në aeroplanin e operuar nga TAAG Angolan Airlines pasi ai bëri një ndalesë në Luanda përpara se ajo të shkonte në Portugali.
Ajo shtoi: "Ajo zgjati vetëm disa sekonda, por mjaftoi për të lënë disa njerëz të plagosur dhe ekuipazhi dha ndihmën e parë para uljes".
