“Edhe dielli më pengonte”, rrëfehet viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Isha 18 vjeçe kur…
Yllka nuk planifikon ta ndajë sekretin e saj asnjëherë me fëmijët dhe familjarët e tjerë, pasi që thotë se nuk dëshiron që ata të mërziten për atë që i ka ndodhur asaj. Por, prapëseprapë e sheh si shumë të nevojshme që secila viktimë ta ketë dikë me të cilin mund të flasë për përjetimet e veta. “Çdo hall… kur e flet me dikë të besueshëm, të ndihmon. Të duket sikur ta largon të gjithën”, shton ajo, duke treguar se e ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Selvi Izeti, psikologe në QKRMT, thotë se trajtimi i traumave të shkaktuara nga dhuna seksuale duhet të jetë i vazhdueshëm. Ajo tregon se kërkesat për seanca individuale rriten veçanërisht kur raportohet në media për raste të dhunës seksuale, kur nisi lufta në Ukrainë dhe gjatë periudhës kur kishin nisur bombardimet e NATO-s meqë në atë periudhë ka pasur më së shumti raste të dhunimeve.
“Vetë termi ‘dhunë seksuale’ është nxitës i traumës për të mbijetuarit, sepse menjëherë ua kthen atë pasigurinë që e kanë ndier kur ka ndodhur ngjarja traumatike”, thotë Izeti. Përveç punës që e ka bërë që nga viti 2007 në QKRMT me të mbijetuarit e dhunës, ajo e cilëson si shumë të rëndësishme punën që është bërë së fundi përmes terapisë familjare.
“Për neve ky ka qenë një rezultat shumë domethënës sepse kemi bërë ndryshime jo vetëm në jetën e nënës, por edhe të fëmijëve. Po mundohemi ta këpusim zinxhirin e bartjes së traumës”, thekson ajo. Në vitin 2014, Kosova kishte miratuar një ligj për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar, duke ua mundësuar kështu atyre një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.
Së fundi, afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë edhe për dy vjet të tjera, deri më 2025. Deri më tani, këtë status e kanë gjithsej 1.451 persona. Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
QKRMT-ja ka të dhëna për rreth 900 viktima. Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive./rel


