Shefi i kabinetit të Presidencës: Vuçiç kërkon të bllokojë zgjedhjet e 23 prillit në veri

Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç po vazhdon të keqpërdorë Listën Serbe për të nxitur tensionet në Kosovë.

Vela ka theksuar se Vuçiç po kërkon të bllokojë zgjedhjet e 23 prillit në veri.

“Presidenti i Serbisë vazhdon të (keq)përdorë Listën Serbe për të nxitur tensionet në Kosovë: Po vepron në kundërshtim me nenin 1 të marrëveshjes me Kosovën për njohjen e targave të veturave RKS. Bën kërkesë të paligjshme për largimin e Policisë nga veriu i Kosovës. Kërkon të bllokojë zgjedhjet e 23 prillit”, ka shkruar Vela në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takua të enjten me serbë të Kosovës në Rashkë, ku ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Vuçiq ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në vendimin për të mos dalë në zgjedhje më 23 prill në katër komunat veriore.

Më herët edhe Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri në formimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Zgjedhjet në veri fillimisht janë caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato janë shtyrë pas incidenteve nga grupe kriminale serbe ndaj zyratrëve të KKZ-ve dhe pamundësisë për organizimin e tyre.