Lirohet eurodeputetja e arrestuar për korrupsion

Ish nënpresidentja e parlamentit europian Eva Kaili është liruar nga burgu pas qëndrimit në arrest për plot 4 muaj. Eva Kaili u la në arrest shtëpie me mbikqyrje elektronike ndërsa do të vazhdojë të hetohet për skandalin e korrupsionit përmes rryshfeteve dhe dhuratave të dhëna nga Katari dhe Maroku për të ndikuar politikën europiane

Lirohet nga burgu eurodeputetja greke Eva Kaili, personazhi kryesor I skandalit të korrupsionit që përfshiu Parlamentin Europian.

Ligjvënësja helene rifitoi lirinë pas katër muajsh prapa hekurave pasi gjykata caktoi ndaj saj masën e arrestit shtëpiak me mbikqyrje elektronike përmes një byzylyku elektronik.

Avokati I Kailit, Sven Mary theksoi se ajo ccka urdhëroi gjykata është një vendim logjik I vonuar. Pas lirimit, eurodeputetja greke do t'i nënshtrohet seancave dëgjimore të rregullta për të zgjatur ose revokuar mbikëqyrjen elektronike në rast se nuk zbaton urdhërimet e gjykatës.

Ajo u arrestua më 9 dhjetor 2022, në kushtet e flagrancës dhe imuniteti i saj parlamentar u hoq menjëherë. Deputetja 44-vjeçare u akuzua për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash dhe më pas u transferua në burgun Haren, në periferi të Brukselit.

Arrestimi i Kailit dhe bashkëpunëtorëve shkaktoi valë tronditëse në institucionet e Brukselit dhe nxori në dritë një skemë korrupsioni në shuma "të mëdha" parash dhe dhurata "të konsiderueshme" që dyshohet se janë paguar nga Katari dhe Maroku për të ndikuar në politikëbërjen evropiane. Mbi 1.5 milionë euro u sekuestruan nga policia belge gjatë dhjetëra kontrolleve të shtëpive dhe zyrave të personave të dyshuar.

Pas skandalit, Eva Kaili u largua nga posti i saj si një nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian dhe anëtarësia e saj në parti u pezullua. Kaili ishte një nga pesë personat e arrestuar dhe të akuzuar penalisht nga autoritetet belge, së bashku me partnerin e saj vendas Francesco Giorgi, ish-deputetin e Parlamentit Evropian Pier Antonio Panzeri, drejtorin e OJQ-së Niccolò Figà-Talamanca dhe eurodeputetin belg Marc Tarabella.

Të katër këtyre personave tashmë u është miratuar lirimi nga burgu, duke e bërë Kailin të pandehurin e fundit që përfitoi një lirim me kusht.