​Abazoviç në Kosovë, hap “qiellin malazez” për aeroplanët që nisen nga Prishtina

Kryeministri malazez, Dritan Abazoviç do të qëndrojë për një vizitë pune prej nesër deri të shtunën në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në shtetin e Kosovës, kryeministri Abazoviç do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve shtetërore, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Kurti dhe Abazoviç do të nënshkruajnë marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.

Në kuadër të ditës së parë të vizitës në Republikën e Kosovës, Abazoviç do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryeministri i Malit të Zi do të takojë po ashtu dy ish-presidentët e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, kryeministri Abazoviç do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.

Abazoviç gjatë vizitës së punës në Kosovë do ta vizitojë Pejën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.

Abazoviç do të vizitojë Rezidencën Historike të dr. Ibrahim Rugovës dhe do bëj homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe do bëj homazhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini, Basri Çapriçit.